1 Maj: Punëtorët e sektorit privat kërkojnë që paga minimale të jetë 350 euro

0
283

Pjesëtarë të Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK) kanë protestuar në ditën ndërkombëtare të tyre, ku kërkuan ndryshim për të drejtat e tyre në punë.

Ata protestën e filluan nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe e përfunduan tek sheshi “Ibrahim Rugova” në Prishtinë. Me pankarta të ndryshme si “Ne nuk jemi rob, por punëtorë” dhe “Pagë minimale 350 euro vet keni deklaruar”, punëtorët e sektorit privat u ndalën edhe para objektit të Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi, ka thënë se ky sektor është duke punuar me pagat më të ulëta në rajon.

Ai në një konferencë për media ka kërkuar që Qeveria të punojë në favor të sektorit privat.

“Ne kërkojmë që paga minimale për ne të jetë 350 euro nga ajo që tani është 120 euro. Kërkojmë po ashtu që të kemi mbrojtjes sa më shumë në vendin e punës. Kemi shumë punëtorë që humbën jetën në vendin e punës dhe Qeveria nuk shikuar asnjëherë se si duhet të mbulohet ceremonia e varrimit për një punëtorë”, ka thënë Azemi.

Ai ka deklaruar se nëse nuk ka përmirësim të gjendjes së punëtorëve ata do të vazhdojnë me protesta tjera.