Zgjedhjet në Shqipëri: Ç’po ndodh deri tani dhe cila parti po kryeson!

0
106

Ndërkohë që në vend procesi i numërimit të votave po shkon drejt fundit, deri në orën 07:15 të mëngjesit të sotëm, sipas të dhënave të raportuara nga KQZ, publikuar në Euronews.al, rezultatet e deritanishme janë si vijojnë.

Partia Socialiste e Shqipërisë kryeson rezultatin elektoral në rang kombëtar me 48.64% të votave. Aktualisht, Partia Socialiste numëron 73 mandate, PD 59, LSI 6 dhe PSD 3 mandate.

Në qarkun e Tiranës, procesi i numërimit të votave është ndërprerë në të gjitha KZAZ-të për shkak të lodhjes së numëruesve dhe pritet të rinisë në orën 08:00.

Ndërkohë pritet të mbyllet edhe numërimi në qarkun e Beratit dhe mësohet se kanë mbetur për t’u numëruar edhe 2 qendra votimi. Aktualisht kryeson Partia Socialiste.

Edhe qarku Shkodër është drejt fundit, pasi pritet të numërohen edhe 18 qendra votimi. Sipas rezultateve të deritanishme, PD merr 5 mandate, 3 PS, 2 PSD dhe 1 LSI dhe nuk pritet të ketë një ndryshim të mandateve edhe në përfundim të numërimit të votave.

Në Krujë janë numëruar 38 kuti votimi nga 92 në total dhe procesi po vijon normalisht. Procesi është drejt përfundimit edhe në qarkun e Elbasanit, me 8 kuti të fundit që kanë mbetur për t’u numëruar.

Gjirokastra bëhet qarku i parë në jug të vendit ku ka përfunduar procesi i numërimit të votave. Në bazë të shifrave zyrtare të publikuara nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, pas numërimit të kutive në 207 qendra të votimit, PS ka arritur të marrë 53.8% të votave të këtij qarku, ndërsa Partia Demokratike ka siguruar 30.7% të votave.

Në qarkun e Vlorës është mbyllur numërimi në 220 kuti nga 445 gjithsej. Deri tani, Partia Socialiste numëron 61,65% të votave, Partia Demokratike 28,24% dhe LSI – 8,53%.

Në Malësinë e Madhe, PD kryeson me 44.18%, ndjekur nga PS me 40.63% dhe LSI 3.19%.

Qarku i Kukësit mbylli numërimin duke shpallur fituese me 62.26% koalicionin e PD-së, ndjekur nga PS me 35.84% dhe LSI me 0.16%. Përkthyer në mandate ky rezultat i jep PD-së dy mandate dhe PS-së një.

Edhe në bashkinë e Tropojës ka përfunduar numërimi i votave, ku PD ka dalë fituese me 6443 vota, ndërsa Partia Socialiste ka marrë 3094 vota.

Për të parë hartën interaktive të rezultateve, klikoni këtu.

Burimi: Euronews, Report TV