Tahiri: Kosova ka një qeveri e cila nuk ka as plan e as vizion

0
112

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se Kosova po kalon një periudhë sfiduese dhe kjo tanimë nuk përbën lajm.

Tahiri në seancën që po mbahet për pandeminë tha se lajm i përditshëm është dështimi dymujor, njofton Klan Kosova.

“Për secilin prej nesh nuk është më lajm që po kalojmë një periudhë sfiduese. Lajm i ditës e i përditshëm është dështimi dymujor i qeverisë, madje dështim edhe në gjëra të vogla. Janë të rralla ditët kur na duket se kjo qeveri ka një agjendë, dhe siç edhe e kemi parë, sapo të kritikohet për ndonjë veprim të saj, reagojnë shpejtë dosido”, tha Tahiri.

“Kjo qeveri nuk ka as plan e as vizion. Ministrat e saj bëjnë çfarëdo vetëm për tu dukur se janë duke bërë diçka, ndërsa vlerësimi i qytetarëve për ta është se; e kanë fillimin, janë të rinj, nuk dinë”, u shpreh ai.

Tutje Tahiri tha se Kurti ia ndërron vendet prioriteteve, të katërtin e nxjerr prioritet të parë, madje sipas tij, dialogun e bënë prioritet të vetëm sepse të tjerë prioritete nuk i shihen askund.

“Çka mësuam për këtë prioritet, jo prioritar, të Kryeministrit?! Mësuam që Kryeminstri, nuk ishte i sinqertë me atë deklaratë dhe qëndrim. Mësuam që i përballur me presionin ndërkombëtar, humori nuk i kryen punë. Kryeministri ua ndërron vendet prioriteteve, duke e bërë prioritetin e 4-të, prioritet të 1-rë. Në fakt dialogun e bënë prioritetin e vetëm, sepse prioritet tjera nuk po i shihen askund. Mësuam që edhe pse Kosovës i duhet një Kryeministër, para së gjithash, i sinqertë, me komoditetin që i japin numrat, Kryeministri nuk e ka problem të bëhet edhe jo serioz edhe i pa sinqertë”, u shpreh Tahiri.

Tahiri tutje i ka bërë thirrje Qeverisë Kurti që të mos bëhet eksperimente me çështjen e pandemisë, e me tema nacionale, siç është dialogu me Serbinë.

“Kërkesa ime për ju është mos bëni eksperimente me çështjen e pandemisë, me orën policore, mos bëni eksperimente me tema nacionale si dialogu, të mos ballafaqoheni me atë që u ka ndodhur herën e kaluar. Ju lus ta lini anash arrogancën. Votimi i djeshëm nuk mendon që e ka forcuar demokracinë në Shqipëri, vetëm besoj e ka forcu mendimin për Kosovën të vendeve mosnjohëse”, ka thënë Tahiri.