Turqia thërret ambasadorin amerikan pas njohjes së gjenocidit armen

0
67

Ministri turk i Punëve të Jashtme thirri ambasadorin amerikan për të protestuar kundër njohjes nga presidenti amerikan, Joe Biden të gjenocidit armen.

“Ne e hedhim poshtë dhe denoncojmë në termat më të fortë deklaratën e presidentit të SHBA-së në lidhje me ngjarjet e 1915”, deklaroi më herët ministri turk i Punëve të Jashtme.

Presidenti amerikan, Joe Biden njohu gjenocidin armen, duke u bërë presidenti i parë i SHBA-së që e cilëson si të tillë vdekjen e një milion e gjysmë armenëve, të masakruar nga perandoria osmane në 1915.

Deklarata tradicionale e Shtëpisë së Bardhë me rastin e ditës përkujtimore, më 24 prill, përmend për herë të parë fjalë gjenocid.

“Amerikanët nderojnë të gjithë armenët që kanë humbur jetën në gjenocidin që filloi 106 vjet më parë”, shkruan Biden.

“Ne konfirmojmë historinë, ne nuk po e bëjmë këtë për të mbingarkuar askënd por për të siguruar që ajo që ka ndodhur nuk do të ndodhë më kurrë”, shtoi ai./ATSH