Garë e fortë për titull, Prishtina fiton ndaj Dritës, Ballkani ndaj Gjilanit

0
43
????????????????????????????????????

Gara për titullin e kampionit në Superligë është bërë edhe më interesante pas javës së 30-të. Kur kanë mbetur edhe 6 javë deri në përfundim të edicionit, Ballkani dhe Drita kryesojnë renditjen me pikë të barabarta, derisa Prishtina është e treta me vetëm një pikë më pak. Kjo e fundit, të dielën, në Gjilan arriti të shënojë fitore në derbin kundër Dritës, me rezultat 2:1, duke e bërë garën për titull tejet interesante. Të parët në epërsi kaluan futbollistët e Dritës, me golin e Betim Haxhimusës, në minutën e 21-të, por shifrat i barazoi Endrit Krasniqi në minutën e 35-të, derisa golin e fitores për Prishtinën e realizoi Besnik Krasniqi, në minutën e 70-të.

Ndërkohë, Ballkani arriti të fitojë në shtëpi në duel me Gjilanin, me rezultat të ngushtë 1:0, por që i mjaftoi që ta marrë pozitën e liderit. Golin e tri pikëve të rëndësishme për portokallezinjtë e Suharekës e realizoi Mevlan Zeka, në minutën e 71-të.

Fitore tejet të rëndësishme në shtëpi në garën për mbijetesë në elitë ka shënuar Llapi, që e mundi Trepçën’89, me rezultat 2:1. Mysafirët shënuan të parët nëpërmjet e Muharrem Jasharit, në minutën e 8-të, por llapjanët e përmbysën rezultatin në 45 minutat e dytë me golat e shënuar nga Ardit Peposhi (49′) dhe Valmir Veliu (60′).