Ministri i Jashtëm i Gjermanisë: Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave

0
142

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

“Kur kemi biseduar rreth temave konkretisht, e di se për qytetarët e Kosovës janë të gjitha të rëndësishme, veçanërisht i rëndësi është liberalizimi i vizave. I kam shprehur presidentes edhe një herë që qëndrimi i Qeverisë së Gjermanisë është shumë i qartë që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim e vizave, duhet të jepet”.

“Sepse kjo nuk është vetëm një çështje e përmbushjes së kritereve, por edhe e asaj që BE-ja t’i përmbahet premtimit të cilin e ka dhënë. Ne gjatë presidencës sonë e kemi vënë këtë çështje në krye të agjendës gjatë presidencës sonë të BE-së. Ne do të angazhohemi që sa më shpejtë liberalizimi i vizave për Kosovën të bëhet”.

Ai në një konferencë për media, pas takimit që pati sot me presidenten Vjosa Osmani, ka deklaruar se janë duke u angazhuar edhe për njohjen e patentë-shoferëve të Kosovës në Gjermani.

“Ne jemi duke u angazhuar edhe për çështje tjera siç janë edhe njohja e patentë-shoferëve. Ne duhet të njoftojmë se jemi para një zgjidhjeje. Në një kohë të parashikueshme mund të gjejmë një zgjidhje për këtë gjë, e cila na ka preokupuar për një kohë”.

Maas ka theksuar se Kosova dhe Serbia do ta kenë mbështetjen e Gjermanisë në rrugën e tyre të dialogut.

“Kam dëgjuar edhe temat që janë të rëndësishme për njerëzit në Kosovë. Ato do t’i marrë natyrisht me vete dhe do t’ia përcjell emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak, do të flas me të në mënyrë intensive, ai e ka mbështetjen nga ana jonë në punën e tij”.

“I konsiderojmë të rrezikshme edhe ato që janë përmendur kohët e fundit për vijat në harta. I konsiderojmë jorealiste dhe të rrezikshme. Jam i lumtur që kjo do të futet shpejt në sirtar e të jetë pjesë e një dosjeje të kalueshme”.

“Po e shohim që Qeveria e re ka një program ambicioz e mbështesim për reformat në politiken e brendshme, mendoj që ato përputhen me pritjen e qytetarëve të Kosovës. Unë ju sigurojë që Gjermania do të jetë përkrah juve”, ka thënë Maas.