Drejtësia autorizon ratifikimin e planit europian të rimëkëmbjes

0
35

Gjykata Kushtetuese gjermane hodhi sot poshtë një kërkesë që parashikonte bllokimin e ratifikimit të planit europian të rimëkëmbjes dhe që parashikonte veçanërisht mekanizmin e pazakontë dhe të kundërshtuar të borxhit të përbashkët.

“Një ekzaminim përmbledhës nuk zbulon një probabilitet të lartë të shkeljes së ligjit themelor”, shpjegon në vendimin e saj gjykata më e lartë e vendit, e cila kishte bllokuar procesin e ratifikimit në Gjermani në fund të marsit.

Ajo do të vazhdojë shqyrtimin e saj, por hedh poshtë kërkesën për pezullim urgjent, duke marrë parasysh se “disavantazhet” e një vonese në ratifikim tejkalojnë çdo konsideratë tjetër.

Një vonesë për hyrjen në fuqi do të kompromentonte objektivin e politikës ekonomike dhe shqetësimet mund të ishin të pakthyeshme duke pasur parasysh urgjencën e rimëkëmbjes përballë pandemisë së COVID-19, theksojnë magjistratët.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen përshëndeti vendimin e Gjykatës Kushtetuese Gjermane, që u prit me ankth nga zyrtarët europianë, në një mesazh në Twitter.

“Plani i rimëkëmbjes do të hapë rrugën për një Bashkim Europian të gjelbër, digjital dhe më elastik”, shtoi ajo.

Në total, 17 vende europiane e kishin ratifikuar programin që parashikonte një fond prej 750 miliardë euro, në një kohë kur pandemia po zgjatet në Europë dhe po vazhdon të prekë rëndë ekonominë./ATSH