Varianti i koronavirusit me mutacion të dyfishtë: Ç’dihet deri tani

0
122

Një variant i ri i koronavirusit, që karakterizohet nga një mutacion i dyfishtë, mendohet të jetë shkak i rritjes së rasteve të Covid në Indi, ndonëse situata është ende e paqartë. Ja çfarë dihet deri tani për variantin indian:

Si u zbulua fillimisht?

Shkencëtarët në Indi tërhoqën vëmendjen për ekzistencën e një varianti të ri, teksa ai fitoi terren në Maharashtra midis dhjetorit të vitit 2020 dhe marsit të këtij viti. Më 24 mars, Ministria e Shëndetësisë në Indi raportoi se 15% -20% e koronavirusit të studiuar në rajon mbarte dy mutacione të pazakonta: E484Q dhe L425R. Ka të ngjarë që përhapja të jetë rritur në më shumë se 60% në rajon që nga ajo kohë. Varianti njihet si B.1.617.

A është i rrezikshëm?

Ky variant i ri mendohet që të jetë shkaktari i një vale të re të vdekjeve nga infeksionet në Indi, e cila ka kaluar në vendin e dytë në listën e vendeve me më shumë infektime/vdekje nga pandemia. Megjithatë është ende e paqartë nëse varianti i ri është shkaku kryesor i rritjes së numrit të rasteve.

A janë raportuar rase jashtë Indisë?

Po, Mbretëria e Bashkuar ka raportuar raste të variantit indian.

A shqetësohen shkencëtarët?

Disa po. Danny Altmann, një profesor i imunologjisë në Imperial College London, tha se nga gjithë çfarë ka parë në variantin indian, ka të ngjarë që së shpejti të kthehet në një “variant shqetësues”.

Por Jeffrey Barrett, udhëheqësi i iniciativës së gjenomikës Covid-19 në Sanger Institute, tha se varianti indian mund të mos jetë aq problematik sa variantet e tjera shqetësuese, të tilla si ato që janë parë për herë të parë në Afrikën e Jugut dhe Brazil.

Varianti ekzistonte në nivele të ulëta për muaj me radhë në Indi dhe është rritur në vende të tjera, pa u shfaqur si një variant shqetësues, duke sugjeruar që mund të mos jetë aq i transmetueshëm sa varianti i Kentit që tani është dominues në Mbretërinë e Bashkuar.

Burimet: Guardian, Mint, Sky News, Anabel