Policia e Kosovës mohon se xhandarmëria serbe hyri në Karaçevë

0
123

Policia e Kosovës ka thënë se lajmet e publikuara në disa media të Kosovës se ka hyrë xhandarmëria serbe në zonën e Karaçevës janë të rreme.

”Shkrimet e publikuara nuk qëndrojnë dhe nuk i përkasin ndonjë informacioni zyrtar, pasi në datën 06.04.2021 është mbajtur një takim zyrtar në mes të përfaqësuesve të KFOR-it, në përbërje prej KFOR-it amerikan, turk dhe palës serbe. Referuar informacioneve zyrtare lidhur me zhvillimet e realizuara në terren vlerësohet se nuk kemi të bëjmë me hyrje të xhandarmerisë serbe në territorin e Republikës së Kosovës, por kemi të bëjmë me realizim të një takimi zyrtar në cilësi të takimeve të rregullta”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media.

Policia e Kosovës thotë se si institucion i zbatimit të ligjit në të gjitha rastet ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe konform autorizimeve ligjore që ka, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, përfshirë edhe mbikëqyrjen dhe patrullimet kufitare sipas mandatit të saj.


“Prandaj konsiderojmë se opinioni publik duhet të informohet drejt dhe korrekt, Policia e Kosovës do të vazhdojë të jetë e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore ndaj qytetarëve dhe vendit, si dhe informimin e drejtë të opinionit publik”.