Vaksina e Covid: Efektet anësore janë shenjë e mirë, por çfarë ndodh kur s’ka efekte anësore

0
191

Shumë njerëz që vaksinohen kundër Covid-19 po përjetojnë efekte anësore në një formë ose në një tjetër – disa kanë temperaturë të lehtë, të tjerë kanë dhimbje koke, disa mund të përjetojnë të përziera ose të ndihen të lodhur.

Siç mund ta keni lexuar, ekspertët e shëndetit thonë se këto reagime janë të pritshme dhe tregojnë se sistemi imunitar po bën punën e tij dhe po mëson se si të luftojë koronavirusin. Por ata që nuk kanë efekte anësore, natyrshëm pyesin: A po funksonon siç duhet sistemi i tyre imunitar?

“Edhe nëse nuk keni efekte anësore pas vaksinimit, ka shumë të ngjarë që trupi juaj të ketë ende një përgjigje të mirë mbrojtëse”, tha Dr. Chris Thompson, një imunolog dhe profesor i asociuar i biologjisë në departamentin e biologjisë të Universitetit Loyola në Maryland.

Kur vaksinat filluan të përhapeshin, publiku ishte i shqetësuar për efektet anësore – gjë që ndikoi që udhëheqësit mjekësorë dhe shëndetësorë të ndihmonin njerëzit që të kuptojnë se efektet anësore ishin reagimet natyrore të trupit ndaj vaksinimit, tha për Healthline Brian Castrucci, një epidemiolog dhe president i organizatës jofitimprurëse të shëndetit publik, Beaumont Foundation. Pra, me fjalë të tjera, informacionet e ekspertëve të shëndetit publik, shpesh nuk adresonin se çfarë nënkuptonte mungesa e efekteve anësore.

Megjithatë, edhe pse efektet anësore si dhimbjet e muskujve, temperatura ose lodhja janë shenja që sistemi imunitar po funksionin, mungesa e efekteve anësore nuk do të thotë që vaksina nuk po funksionon. Në provat klinike të Pfizer dhe Moderna-s, një pjesë e konsiderueshme e pjesëmarrësve nuk patën efekte anësore, megjithatë ata ishin të mbrojtur kundër koronavirusit.

“Kur shohim të dhënat e provës, pak më shumë se gjysma e pjesëmarrësve nuk patën ndonjë efekt anësor, por ata ishin akoma më shumë se 90% të mbrojtur pasi morën vaksinën,” tha Castrucci.

Ai theksoi se disa njerëz do të kenë efekte anësore, por shumica nuk do të ketë. “Sido që të jetë, do të mbroheni nga virusi,” shtoi ai.

Dr. Chris Thompson theksoi për Healthline se reagimi i një personi ndaj vaksinimit “me të vërtetë varet nga ndryshimet e lindura në përbërjen biokimike, mjedisin dhe historinë personale të çdo personi”.