Gashi-Vetëvendosjes: Ndalini shantazhet ose e ndërrojmë qëndrimin

0
127

Shefi i Grupit Parlamentar, Arben Gashi, ka thënë se deputetët e LDK-së po shantazhohen nga Vetëvendosje, sidomos tre deputetët që mbrëmë nuk votuan për zgjedhjen e presidentit, Avdullah Hotit, Driton Selmanajt dhe Agim Veliut.

Gashi ka thënë se këta tre deputetë e kanë mirëkuptimin e LDK-së për bindjet e tyre dhe se iu respektohet ajo, njofton Klan Kosova.

“Ajo çka ka bërë mbrëmë zonja Kusari duke shantazhuar dhe duke kërcënuar publikisht se ata janë fajtorë për moszgjidhjen e presidentes është e papranueshme dhe e patolerueshme. Nëse ata vazhdojnë me këtë sjellje do të marrin përgjigje tjetër”.

Gashi ka thënë se ka pasë telefonata, mesazhe, kërcënime dhe qëndrime publike ndaj deputetëve të LDK-së.

“Po i paralajmëroj që t’i ndalin këto lloj kërcënime dhe shantazhe. Ky është paralajmërim që të ndalet kjo lloj sjellje. Askush s’guxon të ushtrojë presion dhe shantazh për bindjet e deputetëve”.

Gashi ka treguar se qëndrimi i Hotit, Selmanajt dhe Veliut është i njëjti sikurse të shtunën.