Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se më 14 shkurt qytetarët kanë votuar edhe për emrin e kandidatit për kryeministër, por edhe për emrin e kandidates për presidente.
Në llogarinë e saj në Facebook, ajo ka shkruar “nuk kemi çfarë t’ju bëjmë atyre që mendojnë që për votën e Presidentit, duhet dhënë terminale doganore, poste diplomatike a tenderë”, njofton Klan Kosova.
“Ka qenë e qartë. Ne nuk i kemi pasur 80 vota për Presidentin”.
Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e plotë të saj:
Më 14 shkurt, qytetarët kanë votuar edhe për emrin e kandidatit për kryeministër por edhe për emrin e kandidates për presidente.
Ne kemi qenë transparent para qytetarëve. Mesazhi që kanë dhënë qytetarët ishte i qartë. Por ky mesazh e vullnet nuk po përfillet nga opozita. Sërish po injorohet e shkelet.
Ne nuk kemi çfarë t’ju bëjmë atyre që mendojnë që për votën e Presidentit, duhet dhënë terminale doganore, poste diplomatike a tenderë.
Ka qenë e qartë. Ne nuk i kemi pasur 80 vota për Presidentin.
Ata që po thonë se e paskemi provokuar situatën me ligjin sepse votat i keni pasur, janë të njëjtit që thonin se A.Veliu nuk është dashur të shkarkohet se ai veprim e provokoi rrëzimin e Qeverisë ani pse dihej që Qeveria s’ka pasur në plan të votohej, po kur u votua ka pasur plan të rrëzohet.
Ne nuk i duam zgjedhjet por moszgjedhja e Presidentit e dërgon vendin në zgjedhje prandaj përgjegjësia për këtë i mbetet atyre që e injorojnë vullnetin e qytetarëve dhe e bllokojnë zgjedhjen e Presidentit.