Seanca e radhës për Gucatin dhe Haradinajn pritet të caktohet në fund të prillit

0
73

Seanca e radhës për ecurinë e çështjes ndaj krerëve të OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, pritet të caktohet në fund të muajit prill.

Kështu ka thënë gjykatësi i procedurës paraprake Nicolas Guillou.

“Besoj se do ta planifikoj dhe do ta ftoj konferencën e radhës për ecurinë e çështjes në fund të prillit”.

Guillou gjatë seancës së sotme ka treguar për çështjen e hetimeve, ku e ka përmendur se një ekip i prokurorisë është në Kosovë dhe po merret me hetimet derisa ka paralajmëruar ardhjen edhe të një ekipi tjetër.

Mbrojtja ka folur për vështirësitë në lidhje me hetimet të cilat i ka shkaktuar pandemia, derisa kanë thënë se mendojnë se do t’i përmbahen afateve të caktuara me kalendar.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se dosja paraprake pritet të dorëzohet, sipas afatit, më 9 prill dhe po ashtu siç është caktuar me kalendar pritet të dorëzohet dosja te trupi gjykues më 30 qershor.