Anija e bllokuar në Kanalin e Suezit nis të lëvizë

0
54

Pas rreth një jave anija e transportit „Ever Given” që mbante të bllokuar Kanalin e Suezit mund të lundrojë përsëri. Anija – 400 metra e gjatë dhe 59 metra e gjerë – doli nga kursi të martën (23.03) si pasojë e një stuhie shkretëtire dhe ngeci në afërsi të bregut në tabanin e detit. Kolosi 224.000 tonësh, që është një ndër anijet më të mëdha të transportit në botë, mbajti bllokuar gjatë këtyre ditëve qarkullimin e 213 anijesh transporti që kishin në bord mallra me vlerë në miliarda dollarë.

Mision teknik i ndërlikuar

Sipërmarrja e logjistikës së lundrimit GAC vuri në punë disa rimorkiatorë dhe eskavatorë për të rihapur sa më parë për tregtinë një ndër rrugët më të rëndësishme ujore të botës.

Admirali Usama Rabi, kryetar i autoritetit egjiptian të kanalit të Suezit, tha se gjatë aksionit të rimorkiatorëve për lëvizjen e anijes luajnë rol një sërë faktorësh, në radhë të parë drejtimi i erës si dhe baticat e zbaticat dhe se ky ishte një „mision i ndërlikuar teknik”.

Qarkullimi më i favorshëm për tregtinë

Kanali i Suezit lidh detin Mesdhe me detin e Kuq duke ofruar kësisoj rrugën më të shkurtër detare mes Azisë dhe Europës. Çdo vit përmes kësaj rruge detare lundrojnë rreth 18.000 anije. Në vitin 2019 përmes këtij kanali ka qarkulluar rreth 13 përqind e të gjithë volumit të tregtisë botërore.

Ndërkaq kompania e Hamburgut për lundrimet Hapag-Lloyd ka filluar t’i devijojë anijet e veta tregtare në rrugën e tërthortë nga Kepi i Shpresës së Mirë. Lundrimi në këtë itinerar zgjat një javë më shumë se sa përmes kanalit të Suezit. Hapag-Lloyd ka aktualisht pesë anije të bllokuara në kanal. Një problem tjetër është që lundrimi përgjatë brigjeve perëndimore të Afrikës, veçanërisht në gjirin e Guinesë, konsidrohet i rrezikshëm për shkak të sulmeve nga piratët./DW