Operacioni “Stuhia”, policia prangos shtatë persona për kontrabandim me armë

0
139

Policia e Kosovës bashkë me Prokurorinë Themelore të Ferizajt, kanë dalë në një konferencë për media për të treguar rreth aksionit të sotëm policor, i cili rezultoi me shtatë persona të arrestuar.

Në konferencë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, tha se bastisjet janë zhvilluar në disa lokacione të vendit.

“Kemi aplikuar masa të fshehta të hetimit për disa persona konkretë, masat kanë nisur nga muaji nëntor i vitit 2020. Pas përfundimit të zgjerimit të hetimeve, dje kemi bë kërkesë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për të na lëshuar urdhëresë për bastisjen e disa lokacioneve. Njësia Rajonale e Hetimeve kanë aplikuar këtë operacion të quajtur “Stuhia”, në Ferizaj, Gjilan, Prishtinë Lipjan, Shtërpcë, dhe ka arrestuar disa persona për kontrabandim me armë. Bëhet fjalë për shtatë persona të arrestuar”.

Ndërkaq Arbnesh Ajvazi, drejtor për Siguri Publike në Policinë e Kosovës tha se në këtë aksion janë konfiskuar granata, armë të gjata dhe pesë arka të mëdha me fishekë.

“Granatë hedhës dore tre copë, mbushës granat-hedhës, armë të gjatë, armë gjuetie, municion të kalibrit shtatë, pesë arka të mëdha me fishekë, tetë karikatorë të mbushur, mjete për pastrimin e armëve, kondakë, telefonë, laptopë, pranga”.

Ajvazi tha se personat e arrestuar janë ndaluar për 48 orë.