Policia aksion bashkë me EUROPOL-in, arrestohen nëntë persona për kontrabandë me migrantë

0
296

Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar e Policisë së Kosovës, së bashku me Prokurorinë Speciale të Kosovës kanë realizuar një aksion të suksesshëm ku janë arrestuar nëntë persona, të dyshuar për përfshirjen në krim të organizuar.

Ky aksion është vazhdimësi i atij të 29 tetorit 2020, ku ishin arrestuar tre persona.

Të dyshuarit janë arrestuar për kontrabandë me migrantë dhe falsifikim të dokumenteve.

Kjo u bë e ditur në një konferencë të përbashkët për media nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale.

Habibe Salihu, prokurore në Prokurorinë Speciale tha se të arrestuarit janë për vepra të ndryshme kriminale.

“Aksioni është vazhdimësi i aksionit të muajit tetor…Ka rezultuar me tre të arrestuar, të arrestuarit janë të dyshuar për vepra penale krim i organizuar, falsifikim i dokumenteve dhe kontrabandim me migrantë dhe raste të posaçme të falsifikimit të dokumenteve”.

Ndërkaq Florie Hajra, drejtoreshë e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar në kuadër të Policisë së Kosovës bëri të ditur se aksioni është zhvilluar në bashkëpunim edhe me EUROPOL-in.

“Në tetor janë kontrolluar pesë lokacione dhe janë arrestuar tre të dyshuar.Gjatë aksionit të sotëm janë kontrolluar 12 lokacione dhe janë arrestuar nëntë të dyshuar. Janë gjetur laboratorë të pajisur me aparatura dhe materiale për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, si pasaporta, kartela identifikimi. Kemi 12 persona të dyshuar që me urdhër të prokurorit ndodhen në mbajtje, hetimet janë kryer me EUROPOL-in, Shqipërinë dhe disa shtete të BE-së”.

Hajra shtoi se të gjithë të arrestuarit janë shtetas të Kosovës.