Vaksina e AstraZeneca-s është 79% efektive dhe pa rrezik për mpiksje të gjakut

0
104

Vaksina Covid-19 e zhvilluar nga Universiteti i Oxfordit dhe kompania AstraZeneca është 79% efektive në parandalimin e sëmundjes simptomatike në një provë të madhe në SH.B.A., Kili dhe Peru, tha kompania ditën e sotme (e hënë, 22 mars).

Vaksina rezultoi 100% efektive kundër sëmundjeve të rënda ose kritike dhe shtrimit në spital dhe është e sigurt, u shpreh kompania, duke publikuar edhe rezultatet e studimit te më shumë se 32,000 vullnetarë në të gjitha grupmoshat.

Të dhënat do t’i japin besim vaksinës britanike pasi rezultatet e studimeve të mëparshme ngritën pyetje në lidhje me qëndrueshmërinë e të dhënave.

Kjo gjithashtu do të ndihmojë në qartësimin e pikëpyetjeve në lidhje me sigurinë, gjë që solli edhe pezullimin e saj në disa vende të BE-së. Pasi pezulluan përkohësisht vaksinën, disa vende europiane rifilluan përdorimin e saj.

AstraZeneca theksoi se të dhënat nuk tregojnë se vaksina shkakton trompozë të sinusit venoz cerebral, që është një mpiksje gjaku e rrallë në tru. Duke adresuar çështjen që ka dëmtuar besimin në vaksinë në javët e fundit, kompania thekson se vaksina nuk shkakton mpiksje të gjakut.

Burimet: Guardian, CNBC, Anabel