SHSKUK alarmon Qeverinë: Kapacitetet spitalore afër mbushjes, të sigurohen hapësira tjera

0
47

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar e ka alarmuar Qeverinë e Kosovës për mbushjen e kapaciteteve spitalore për trajtimin e pacientëve me Covid-19.

Në një letër që SHSKUK i ka drejtuar Qeverisë, të cilën e ka siguruar Gazeta Shneta, ky institucion ia ka bërë me dije kryeministrit në detyrë dhe ministrit të Shëndetësisë, se kapacitetet e spitaleve të rezervuara për trajtimin e pacientëve me Covid, janë afër mbushjes.

“Numri i rasteve të reja me infeksion me Covid-19 në ditët e fundit është tejet shqetësues për SHSKUK-në duke marrë në konsideratë faktin se tani janë hospitalizuar afër 800 pacientë. Me këtë trend të shtimit të kërkesave për hospitalizomë, kapacitet e SHSKUK-së për trajtim spitalor të rasteve me Covid-19 do të tejkalohen për 10-14 ditë”, thuhet në këtë letër.

Për këtë shkak SHSKUK i ka kërkuar Qeverisë ndihmë për të siguruar hapësira tjera jashtë-spitalore për trajtimin e pacientëve.

“Jemi të detyruar t’ju drejtohemi me kërkesë që të shqyrtohet mundësia e sigurimit të hapësirave shtesë, jashtë SHSKUK-së për trajtimin e pacientëve me Covid-19”, thuhet në letrën e SHSKUK-së, drejtuar Qeverisë.

Gjatë ditës së djeshme është mbajtur një takim i Komitetit të MSH-së për vlerësimin dhe koordinimin e situatës me pandeminë, ku nuk është marrë asnjë vendim për shtrëngimin e masave.

Se gjendja në spitale është alarmante ka deklaruar edhe drejtori ekzekutiv Valbon Krasniqi, derisa ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka thënë se gjendja me pandeminë është nën kontroll.

Aktualisht në SHSKUK janë afër 900 pacientë të sëmurë me Covid, ndërsa kapacitet e këtij institucioni janë rreth 1100 shtretër.

Në Kosovë vetëm gjatë ditës së djeshme janë konfirmuar pozitiv me Covid 828 raste dhe tetë viktima. Numri i rasteve aktive deri më tani ka arritur mbi 11 mijë e 800, ndërsa me fatalitet nga marsi 2020 deri më sot kanë përfunduar 1744 persona.