Europa ende pa vaksina të mjaftueshme për të parandaluar valën e tretë të COVID-19

0
35

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn deklaroi se në Europë nuk ka vaksina të mjaftueshme për të parandaluar valën e tretë të koronavirusit të ri (COVID-19).

Duke folur përpara një samiti mes qeverisë federale dhe landeve të Gjermanisë në lidhje me vaksinimin, Spahn tha se “nuk ka ende doza të mjaftueshme vaksinash në Europë për të ndaluar valën e tretë vetëm me vaksinim”.

“Kur bëjmë një vlerësim të situatës reale, në Europë akoma nuk ka vaksina të mjaftueshme për të ndaluar valën e tretë vetëm me vaksinim”, theksoi Spahn duke iu referuar rëndësisë së vaksinimit për të dalë nga pandemia.

Nëse porositë e BE-së arrijnë në mënyrë të sigurt, do të duhen disa javë që grupet e rrezikuara të vaksinohen plotësisht.

Spahn shtoi se masat kundër pandemisë mund të zbuten duke vaksinuar këto grupe.

“Agjencia Europiane e Barnave (EMA) ka vendosur dje se vaksina AstraZenca është e besueshme dhe përfitimet e saj janë më shumë sesa rreziqet. Kjo vaksinë do të vazhdojë të aplikohet nga sot në Gjermani”,shtoi Spahn.

Në takim zv/presidenti i Institutit Robert Roch (RKI), Lars Schaade tha se rastet e reja me COVID-19 po rriten me shpejtësi, veçanërisht tek ata të moshës 15-49.

Shaade njoftoi se numri i pacientëve në kujdes intensiv nuk është ulur për 2 javë dhe se vdekjet nga COVID-19 janë ende në një nivel të lartë.

Sipas RKI-së në Gjermani në 24 orët e fundit janë shënuar 17 482 raste të reja me COVID-19. Në vend janë shënuar gjithsej 2 629 750 raste me COVID-19 ndërsa në 24 orët e fundit 226 persona e kanë humbur jetën duke çuar numrin e viktimave në 74 358.

Në takimin e mbajtur më 4 mars, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministrat e shtetit vendosën se nëse numri i rasteve të reja vazhdon të rritet do të rifillojnë masat e ashpra që ishin të vlefshme para 7 marsit./ATSH