Vjen reagimi i Hotit pasi Vuçiq publikoi hartën e Kosovës të mbuluar me flamurin serb

0
359

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar pasi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq publikoi një hartë të Kosovës të mbuluar me flamurin serb..

Hoti thotë se deklarata e presidentit serb tregon qasjen destruktive që ka pasur ai në vazhdimësi në raport me Kosovën, përkundër zotimeve për paqe dhe stabilitet.

“Deklarata e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tregon qasjen destruktive që ka pasur në vazhdimësi fqinji ynë verior në raport me Republikën e Kosovës, përkundër zotimeve të shumta që Serbia i ka bërë, nën garancat e faktorit ndërkombëtar, për paqen, stabiliteti dhe prosperitetin e rajonit”, ka thënë Hoti.

Hoti në reagimin e tij, ka shkruar se përkundër provokimeve nga Serbia, Kosova vazhdon rrugëtimin drejt anëtarësimit sa më të shpejtë në NATO.

“Me gjithë provokimet që vijnë nga fqinji ynë verior, Republika e Kosovës, përmes angazhimit dhe vendosmërisë, sigurt po vazhdon rrugëtimin drejt anëtarësimit sa më të shpejtë në NATO, Bashkimin Evropian dhe në të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare”, thotë mes tjerash ai.

Ndryshe, Vuçiq fotografinë e publikuar në llogarinë personale e ka shoqëruar me mesazhin “Serbia sot nuk është e dobët, nuk kërcënon, por dhe nuk harron, dhe nuk do të lejojë që 17 marsi të ndodhë përsëri”.