U bllokua edhe nga Gjermania dhe Franca: Pse po pezullohet AstraZeneca? Ja ç’duhet të dini

0
295

Numri i shteteve që po bllokojnë vaksinën AstraZeneca po rritet, duke ngritur shqetësimin edhe te vendet e tjera, si Shqipëria, ku po administrohen momentalisht dozat e kësaj vaksine.

Çfarë ndodhi?

Autoritetet shëndetësore në Austri ishin të parët që ngritën alarmin për rreziqet e mundshme të vaksinës së krijuar nga Universiteti i Oksfordit dhe kompania AstraZeneca, duke pezulluar një tufë dozash të martën e javës së kaluar. Të enjten, Danimarka u bë vendi i parë europian që pezulloi përkohësisht përdorimin e vaksinës së AstraZeneca-s. Të premten, Italia ndaloi përdorimin e një serie specifike të dozave të AstraZeneca-s pas vdekjes së një njeriu në Siçili, i cili ndërroi jetë si pasojë e një arresti kardiak, një ditë pasi mori dozën e parë të vaksinës. Agjencia Norvegjeze e Barnave njoftoi të shtunën se janë raportuar katër raste të reja të mpiksjes serioze të gjakut te të rriturit që kanë marrë vaksinën. Fill pas kësaj, Irlanda pezulloi përkohësisht përdorimin e vaksinës.

Autoriteti Europian i Barnave (EMA) njofton se vende të tjera si Islanda, Austria, Estonia, Lituania, Luksemburgu dhe Letonia, kanë pezulluar përkohësisht vaksinën. Ditën e sotme u njoftua edhe vendimi i Gjermanisë dhe Francës, të cilat iu bashkua listës së vendeve që kanë pezulluar vaksinën e AstraZeneca-s për të paktën dy javë.

Në njoftimin e EMA-s më 11 mars, shkruhet se “aktualisht nuk ka asnjë indikacion që vaksinimi ka shkaktuar këto gjendje të rënda, të cilat nuk renditen si efekte anësore të vaksinës”. Sipas EMA-s, përfitimet e vaksinës tejkalojnë rreziqet e saj dhe sugjeroi që të vazhdojë të administrohet teksa hetimi i rasteve të vijojë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë u shpreh se “vendet nuk duhet të ndalojnë përdorimin e vaksinës AstraZeneca, nga frika se shkakton mpiksjen e gjakut, pasi deri tani nuk ka asnjë provë që ta vërtetojë këtë”.

AstraZeneca ka mbrojtur me forcë vaksinën e saj, duke thënë në një deklaratë të dielën se nuk kishte asnjë çështje serioze të konfirmuar dhe “nuk kishte prova të një rreziku të rritur të embolisë pulmonare, trombozës së venave të thella (DVT) ose trombocitopenisë” për njerëzit që kishin bërë vaksinën.

Ann Taylor, zyrtare kryesore mjekësore e kompanisë, u citua në deklaratë duke thënë, “Rreth 17 milionë njerëz në Bashkimin Europian dhe Mbretërinë e Bashkuar kanë bërë vaksinën tonë dhe numri i rasteve të mpiksjes së gjakut të raportuar në këtë grup është më i ulët se qindra raste që do të priteshin në mesin e popullatës së përgjithshme.”

“Vaksina do të përdoret në të gjitha grupmoshat siç përdoret Pfizer, kjo është kthyer edhe nga ato vendet që morën një vendim që të mos vaksinonin persona mbi 65 vjeç për shkak të dhënave të pakta që kishte në dokument. Të dhënat e sotme të publikuara nga Mbretëria e Bashkuar që e ka përdorur këtë vaksinë në të gjitha grupmoshat, tregojnë që ajo është efektive, e sigurtë edhe mbi 65 vjeç.”-u shpreh Bino gjatë konferencës së Komitetit të Ekspertëve më 12 mars.

Në Shqipëri kanë mbërritur 38,400 doza vaksinash të AstraZeneca-s përmes Covax. Deri në këto momente, nuk ka një njoftim nga Ministria e Shëndetësisë për të pezulluar përkohësisht dozat e vaksinës, ndonëse vendimi i Gjermanisë mund të ndikojë në vendimmarrjen e shteteve të tjera.

Burimet: OBSH, EMA, CNN, Associated Press