Hapet Bienalja e 4-t Ndërkombëtare e Akuarelit, 310 artistë nga 58 shtete ekspozojnë pikturat në Tiranë

0
65

“Natyrë e qetë” është tema e Bienales Ndërkombëtare të Akuarelit, që çeli në Tiranë edicionin e katërt. Këtë vit janë 310 artistë nga 58 vende të botës që prezantojnë punimet e tyre në bienale. Sipas organizatorëve tema “Natyra e qetë” është përzgjedhur për të kremtuar bukurinë e natyrës dhe jetës. Kuruar nga piktori Helidon Haliti dhe piktorja Ormira Lulani kjo ekspozitë është një event unik, që prezanton veprat origjinale të artistëve.

Në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite të veçantë kuratori i ekspozitës, piktori Helidon Haliti, në fjalën përshëndetëse falënderoi edhe institucionet që bënë të mundur organizimin e bienales. Sipas tij, së bashku me kuratoren Lulani vendosën si subjekt kryesor “Natyrën e qetë”, ku artistët sjellin botën e tyre shpirtërore, që kanë kaluar gjatë pandemisë.

Presidenti i Shoqatës Ndërkombëtare të Akuarelit (WS), Atanur Dogan mes të tjerave në fjalën e tij u shpreh se ndjen kënaqësi të veçantë sa here vjen në Shqipëri për organizimin e bienales. Ai e vlerësoi Shqipërinë për ndihmën që i jep artit. Sipas tij, me zhvillimin e artit zhvillohet dhe shoqëria duke u bërë më e shëndetshme.

Përgjatë aktivitetit u ndanë dhe disa çmime për artistët, të cilët kishin dhënë kontributin e tyre në bienale me punimet e tyre artistike. Bienalja këtë vit vjen me punë të artistëve nga 58 vende të botës, duke filluar nga vendet fqinje si Kosova, Italia, Greqia, Gjermania, Serbia, e duke vazhduar me vende të largëta si Australia, SHBA, Kanada, Kina, Rusia, Koreja e Jugut, El Salvador, Kosta-Rika e deri në Afrikë.

Bienalja përmban emra të mjeshtërve botërorë, emra të njohur të akuarelit, si Alvaro Castagne, (Uruguai) Sanislaw Zoladz (Suedi), Jose – Luis Corella (Spanjë), Eftim G. Risto (Greqi), Atanur Doga (Kanada), Hong Shan (Kinë), You Mee Park (Kore) La Fe, (Olga Litvinenko (Rusi), etj. Por dhe artistë nga Shqipëria si piktori i njohur Skënder Kamberi, Ronald Runaj dhe emra të tjerë, që përfaqësohen me punët e tyre.

Kjo ekspozitë, e kthyer tashmë në një traditë, është një mundësi e shkëlqyer për të sjellë në Tiranë artistë nga më të mirët dhe për të promovuar pikturën me bojëra uji si dhe për të kthyer dhe njëherë vëmendjen tek zhanri i artit pamor në Shqipëri, edhe pse në kohëra të vështira të shkaktuara nga pandemia. Bashkëorganizatore, piktorja Ormira Lulani thotë se nuk mund të anulonin edicionin e 4-t të bienales, që me aq këmbëngulje e dëshirë e kanë çuar përpara. “Ishte e nevojshme të bënim diçka dhe të dilnim nga plogështia dhe “dëshpërimi”, që kishte kaptuar njerëzit. Vendosëm një temë të caktuar për bienalen, “Still Life”, natyrë e qetë. E pamë dhe e menduam këtë bienale si kremtimi i bukurisë dhe shkëlqimit të natyrës dhe jetës!”, shprehet Lulani.

Ky aktivitetet u bë i mundur falë bashkëpunimit të Shoqatës Kulturore VIZart, IWQS Albania, si dhe me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Kulturës. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datë 24 mars 2021 dhe do të vizitohet sipas udhëzimeve dhe masave për parandalim e përhapjes së Sars-Cov 2./ATSH