Pesë shtete kërkojnë diskutime të shpejta për pabarazitë në shpërndarjen e vaksinave

0
65

Austria, Republika Çeke, Sllovenia, Bullgaria dhe Letonia kanë kërkuar diskutime sa më shpejt të jetë e mundur mes 27 drejtuesve europianë për pabarazitë e mëdha në shpërndarjen e vaksinave në BE, sipas një letre të publikuar sot.

Kancelari austriak, Sebastian Kurz ka akuzuar disa shtete të Bashkimit Europian, pa i përmendur ato, se kishin negociuar në fshehtësi kontratat me laboratorët, duke kritikuar një shpërndarje të pabarabartë të vaksinave kundër COVID-19 mes vendeve.

Një zyrtar i lartë i BE, i cili konfirmoi marrjen e letrës nga pesë vendet, kujtoi se një samit me 27 drejtuesit e BE-së ishte planifikuar më 25-26 mars dhe se koordinimi i luftës kundër pandemisë ishte pika e parë në rendin e ditës.

“Para çdo samiti marrim gjithmonë letra, të cilave u përgjigjemi”, theksoi ai duke shtuar se mbajta së shpejti e këtij samiti mbetet një qëllim.

Kancelari Kurz dhe katër homologët e tij i dërguan këtë letër presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe presidentit të Këshillit (i cili përfaqëson 27 shtete anëtare të BE-së), Charles Michel.

Në këtë letër ata konfirmojnë se livrimet e dozave të vaksinës nga laboratorët farmaceutik për shtete të ndryshme anëtare të BE-së nuk ishin kryer në mënyrë të drejtë.

“Nëse ky sistem do të zgjasë, ai do të vazhdojë të krijojë dhe përkeqësojë pabarazitë e mëdha mes shtetet anëtare deri në verë, në mënyrë që disa prej tyre do të jenë në gjendje të arrijnë imunitetin e grupeve për disa javë, ndërkohë që të tjerët do të mbeten prapa”, shkruhet në letrën e dërguar nga Kurz dhe katër homologët e tij.

“Prandaj, ne ju kërkojmë që të organizoni një diskutim mbi këtë çështje të rëndësishme midis drejtuesve të BE-së më shpejt të jetë e mundur”, shtojnë ata./ATSH