Biden emëron dy gra në krye të komandave ushtarake

0
89

Presidenti amerikan, Joe Biden njoftoi emërimin e dy grave në krye të komandave ushtarake amerikane, të cilat do të bëhen gratë e dyta dhe të treta që mbajnë gjithashtu funksione të larta ushtarake në SHBA.

Gjeneralja e US Air Force, Jacqueline Van Ovost, e vetmja grua me gradën e gjeneralit me 4 yje, më e larta në ushtrinë amerikane, emërohet në krye të Transportit Logjistik (Transcom).

Gjeneralja me tre yje e këmbësorisë, Laura Richardson është zgjedhur për të drejtuar Komandën Jugore (Southcom), që mbulon Amerikën Qendrore dhe Latine dhe pritet të fitojë yllin e saj të katërt.

Nëse emërimi i tyre konfirmohet nga Senati, Jacqueline Van Ovost dhe Laura Richardson do të pasojnë Lori Robinson, e cila u bë gruaja e parë që drejtoi një komandë ushtarake (Northcom) para se të dilte në pension në 2018.

“Secila nga këto dy gra ka bërë një karrierë duke demonstruar aftësi të pashembullta, integritet dhe një ndjenjë detyre të pakrahasueshme”, theksoi presidenti amerikan, Biden ndërsa i prezantoi ato në një fjalim të shkurtër në Shtëpinë e Bardhë.

Ushtria amerikane ka 11 komanda ushtarake, të gjitha të drejtuara nga gjeneralë me 4 yje, të cilët kanë pothuajse rangun e ministrit në SHBA./ATSH