Vjosa Osmani, Ambasada Britanike, UN Women dhe vajzat nga komunitetet jo-shumicë festojnë Ditën Ndërkombëtare të Grave

0
111

Të hënën, më 8 mars 2021, UN Women në partneritet me Zyrën e Presidentes dhe Fondacionin IPKO, të mbështetur nga Ambasada Britanike në Kosovë organizuan aktivitetin me gra dhe vajza nga komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptian, për t’i frymëzuar ato të vazhdojnë arsimin e tyre dhe bëhen udhëheqëse të së nesërmes. Gjatë aktivitetit u hap edhe ekspozita me punimet e vajzave të pranishme, kështu duke treguar se si arti mund të jetë mjet i thyerjes së barrierave, stereotipeve gjinore dhe fuqizimit te vajzave.

Në fjalimin e saj hyrës, Ushtruesja e Detyrës së Presidentës Znj. Vjosa Osmani, deklaroi “Sot, gratë dhe vajzat e reja dëshmojnë se janë të pandalshme kudo që janë. Ato promovojnë arsimimin duke qëndruar kundër dhunës ne baza gjinore, duke kërkuar veprime në lidhje me mjedisin në të cilin jetojnë, dhe mbi të gjitha duke kërkuar vendin që ju takon në proceset e vendimmarrjes. Vetëm së bashku do të bëjmë që zëri i grave dhe vajzave të reja të dëgjohet në çdo tryezë ku merren vendime për to, për shoqërinë dhe për të gjithë botën.”

Fjalim hyrës u mbajt gjithashtu nga Ambasadori Britanik në Kosovë, Z. Nicholas Abbott i cili nënvizoj ndikimin disproporcional të pandemisë mbi gratë dhe vajzat, “Barra e kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit ka rënë mbi gratë dhe vajzat, ndërsa në të njëjtën kohë ato kanë vazhduar të punojnë nga shtëpitë e tyre. Dhe kjo situatë ka qenë edhe më e vështirë për ato vajza dhe gra të reja që tashmë kanë qenë në disavantazh edhe para pandemisë. Ne po flasim për gratë dhe vajzat nga komunitetet më të rrezikuara, të cilat jo gjithmonë kanë qasje të lehtë në arsim, trajnim dhe punësim. ”
Ky event u organizua në përputhje me temën globale të këtij viti për Ditën Ndërkombëtare të Grave “Gratë në udhëheqje: Arritja e një të ardhme të barabartë në botën e COVID-19”, ditë kjo e cila vlerëson përpjekjet e jashtëzakonshme të grave dhe vajzave në të gjithë botën në formësimin e një të ardhme më të barabartë dhe rimëkëmbje nga pandemia COVID-19, duke nxjerr në pah boshllëqet që mbeten. Znj. Vlora Tuzi Nushi, Udhëheqëse e Zyrës së UN Women deklaroi “Kur gratë udhëheqin, ne shohim rezultate pozitive. Megjithatë, gratë ende përballen me diskriminim kur bëhet fjalë për udhëheqje. Prandaj, ne kemi nevojë për më shumë gra në vendimmarje që përfaqësojnë gratë dhe vajzat në të gjithë diversitetin dhe aftësitë e tyre, dhe në të gjitha situatat kulturore, sociale, ekonomike dhe politike “.

Fjalim mbajti edhe Znj, Abetare Gojani, Drejtoreshë e Fondacionit IPKO, e cila theksoi nevojën për të vazhduar punën me gratë nga grupet në nevojë, në mënyrë që ato të vazhdojnë të gëzojnë të drejtat e tyre themelore të njeriut. Në vazhdim, Znj, Shpresa Agushi, Drejtoreshë Ekzekutive e Rrjetit të Organizatave të Grave Romë, Ashkali dhe Egjiptiane në Kosovë, mbajti një fjalim frymëzues. Znj. Agushi shërben si një model për të gjitha gratë e reja, e cila është një figurë kryesore në luftën për t’i dhënë fund martesave të hershme midis vajzave nga këto komunitete dhe për të rritur aktivizmin midis të rinjve romë, egjiptianë dhe ashkali.

Projekti “Kthimi në normalitetin (e ri) në Kosovë: Përforcimi i qëndrueshmërisë përmes kthimit të sigurt dhe gjithpërfshirës në normalitet në shëndetësi dhe arsim pas COVID-19” i financuar nga Ambasada Britanike në Kosovë dhe implementuar nga UN Women, UNFPA, UNICEF, dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, po punon në drejtim “për të mos lënë askënd pas” në përgjigjen dhe rimëkëmbjen nga COVID-19. UN Women është duke zbatuar një qasje ndër-sektoriale për t’i prekur edhe ata që janë lënë mbrapa, përfshirë gratë dhe vajzat e reja nga komunitetet jo-shumicë dhe ato me aftësi të kufizuara. Shumica e grave të reja nga këto komunitete nuk kanë pajisje të Teknologjisë së Informacionit ose nuk kanë qasje në internet dhe për këtë arsye janë të përjashtuara nga sistemi i ri arsimor. Shoqëruar me rritjen e detyrave të kujdesit shtëpiak në shtëpi, gratë dhe vajzat e reja rrezikojnë të humbin vitin e tyre akademik dhe në fund të braktisin shkollën. Në fakt, në bazë të një Vlerësimi të Shpejtë i kryer në Kosovë në maj 2020 nga UN Women, UNDP, UNFPA dhe UNKT zbuloi se pandemia ka përkeqësuar barrën e punës së kujdesit të papaguar mbi gratë dhe vajzat duke penguar dhe kufizuar performancën e tyre profesionale dhe arsimore.