“Njerëzit nuk po vdesin nga COVID19, por nga pamundësia për tretmanin e kushtueshëm”

0
120

Nga Artan Muhaxhiri

Ka disa netë që duke u kujdesur intenzivisht për shëndetin e prindërve, jam përballur me situata aspak të këndshme, që e shpërfaqin realitetin e hidhur në sistemin tonë shëndetësor.

Dëshira për t’u vënë në shërbim të shëndetit të prindërve, më vuri në situata të prekjes nga afër të realitetit në spitalet tona.
Them shyqyr që nuk kemi shpesh punë, por sado rrallë, prapë duhet të ngremë zërin, e ti luftojmë fenomenet negative, sepse vetëm në këtë formë edhe ne japim kontributin qytetar.

Nga hera e fundit (para katër viteve), kur babai kishte një intervenim tjetër, shpresoja të ketë patur lëvizje pozitive, por JO!
Në fakt, spitalet e ambientet ofrojnë kushte më të mira, edhe një pjesë e madhe e stafit janë bashkëpunues.
Shkurt e shqip, duken më bukur, ka inventar më modern, por thelbësorja, humaniteti e kujdesi bien nën hijen e neglizhencës së tmerrshme.
Por pyes:
– Si është e mundur që në një repart me Covid19, të mos na pyes askush “a e kemi kaluar virusin më herët?”, “a kemi antitrupa akoma?”
(Ne me vetëdije, duke e ditur kapacitetin e mangët tëstafit, jemi vetëofruar për asistencë 24h tash e 16 ditë)
Por këtë asistencë, jo të gjithë po e shohin të këtij qëllimi.
Për këto ditë (vazhdoj të jem në spital), kam mësuar:
– Të jap terapinë ditore (se infermierëve nuk u intereson)
– Të montoj bombolat e oksigjenit kur njëra harxhohet, për t’a aktivizuar tjetrën
– Të zgjojmë nga gjumi infermierët, kur kemi urgjenca
– Të “pajtohemi” me thirrjet nga 4-5 herë, se me të parën nuk vinë,
– Në vendin ku stafi i sigurimit i sjell bombolat e gazit, madje merr guximin edhe të konkludojë se “…po përdorim shumë apo pak oksigjen”.
– Dhurimi urgjent i gjakut (për plazmën me antitrupa), bëhet pasi njëherë të shëtisin, sepse janë në pauzën e mëngjesit, e pastaj fillojnë merren me ty, përkundër urgjencës ndaj rastit,
– Më dhemb tendenca, që edhe kur ndihmojnë, këtë e bëjnë sepse të njohin nga ekrani dhe u ndryshon rrënjësisht çasja, për të cilën gjë kategorikisht jam kundër.

Për të dy prindërit, vlera e deritashme ka kaluar 4000€, dhe mesa e kuptova, në shumë raste njerëzit që s’kanë zgjidhje, nuk po vdesin nga COVID19, por nga pamundësia për tretmanin e duhur, që është i kushtueshëm.

Vetëm dy doza të Tocilizumab (2x 600mg) kapin shifra marramendëse (ata që i kanë marrë e dinë), e edhe për këtë më duhet të falënderoj njerëzit e vullnetit të mirë (familjarë e miq), që ndihmuan në sigurimin e dozave.

Kisha vendosur të hesht, për hir të një numri të madh të mjekëve që punojnë zellshëm, shkaku i respektit të madh ndaj punës, sakrificës dhe përkushtimit të tyre, por heshtja më ngarkon me përgjegjësi, e më shton barrë morale, për rastet e së ardhmes, të cilët uroj të mos kalojnë në këto shtigje.
Përkundër përkushtimit të mjekëve, ja që bie një pakicë, si ajo që unë u provova, dhe e zbeh punën e kontributin e secilit, sepse mal pa derra s’ka.
Prandaj ngritja e zërit, i shërben një shëndetësie e niveli më të lartë, si dhe thirrjes në përgjegjësi të të papërgjegjshmëve, që nuk e meritojnë petkun e mjekut/infermierit.

Shkrimi është i bazuar në përvojën ekskluzive personale e kushdo që tenton t’i japë kahje tjetër, do të dalë blof, përballë realitetit në teren, të cilin po e prekin qytetarët nga dita në ditë, gjithnjë e më shumë.