“Pavarësia e Kosovës, ëndërr e realizuar e gjeneratave që sakrifikuan çdo gjë”

0
75

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, në shënim të 13-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, mori pjesë në manifestimin qendror që u mbajt në kazermën “Adem Jashari” të Forcës së Sigurisë së Kosovës. 

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Hoti tha se përvjetorët janë momente të veçanta, për të kujtuar ata që sakrifikuan çdo gjë për realizimin e aspiratës shekullore për liri dhe pavarësi.“Ditët si këto, na sjellin në vëmendje vlerat më të larta të atdhedashurisë, që jetojnë në përjetësi. Ndërkohë, në ditët si këto ne marrim fuqinë dhe përkushtohemi për borxhin që iu kemi fëmijëve tanë që Kosovën ta bëjmë një vend të realizimit të ëndrrave të çdo të riu, çdo prindi e çdo gjyshi, çdo mësuesi, çdo artisti, çdo bujku dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Hoti. 

Fjala e plotë e kryeministrit Hoti: 

E nderuara ushtruese e detyrës së Presidentit, znj. Osmani,

I nderuar Ministër i Mbrojtjes, z. Quni,

I nderuar komandant i FSK-së, gjeneral Rrahman Rama,

Të nderuar ambasadorë,

E nderuar Familje Rugova, Familje Jashari,

Të nderuar ushtarë të FSK-së, të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës. 

Përvjetorët janë momente të veçanta, për të kujtuar ata që sakrifikuan çdo gjë për realizimin e aspiratës shekullore për liri dhe pavarësi.

Me shumë mirënjohje përkulemi para kontributit të të gjithë atyre që udhëhoqën rezistencën paqësore dhe ushtarake dhe para gjakut të dëshmorëve. 

Ditët si këto, na sjellin në vëmendje vlerat më të larta të atdhedashurisë, që jetojnë në përjetësi. Ndërkohë, në ditët si këto ne marrim fuqinë dhe përkushtohemi për borxhin që iu kemi fëmijëve tanë që Kosovën ta bëjmë një vend të realizimit të ëndrrave të çdo të riu, çdo prindi e çdo gjyshi, çdo mësuesi, çdo artisti, çdo bujku dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. 

Pavarësia e Kosovës është një ëndërr e realizuar e gjeneratave që sakrifikuan çdo gjë; ndërkohë që mbetet shumë punë për të realizuar aspiratën për integrimet Euro-atlantike të Kosovës. I tillë ishte vizioni dhe amaneti i heronjve tanë, të cilët na ndriçuan rrugën në luftën çlirimtare. Por, ambicia e tyre, nuk mbaron këtu. Kjo ambicie rritet dhe zhvillohet çdo ditë, ashtu siç po konsolidohet dhe avancohet demokracia, si vlera më e lartë dhe më e çmuar e gjithë historisë njerëzore. 

Prandaj, sot, në përvjetorin e 13-të të shtetësisë së Kosovës, festojmë ëndrrën e realizuar të heronjve, që shprehet si një gërshetim i vlerave për shërbimin dhe dashurinë për atdheun; për t’i dhënë mundësinë këtyre djemve dhe vajzave për t’u rreshtuar me krenari në radhët e ushtrisë, që forcon themelet e shtetit tonë.

Edhe në këtë përvjetor, kujtimi dhe mirënjohja për kontributin e pashembullt na bëhen udhërrëfyes që na jep forcë për të ngritur flamurin e Kosovës përkrah vendeve më të fuqishme për të garantuar paqen dhe sigurinë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare.

Të gjithëve qytetarëve të Republikës së Kosovës, Gëzuar Dita e Pavarësisë!