Parregullsi gjatë ditës së zgjedhjeve, 16 ankesa dorëzohen në PZAP

0
46

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar 16 ankesa për parregullsi të dielën – ditën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në vend.

Ankesat u paraqitën nga individ, subjekte politike, organizata dhe kandidatë për deputetë, njofton Klan Kosova.

Këtë për KlanKosova.tv e ka konfirmuar Kryesuesi i Sekretariatit të PZAP-së, Mulë Desku.

“Brenda 24 orëve nga ora 19:00 e datës 14.02.2021 deri ne ora 19:00 te datës 15.02.2021, PZAP ka pranuar 16 ankesa, për parregullsitë e ditës e zgjedhjeve te cilat janë paraqitur nga individ, subjekte politike, kandidate për deputet dhe organizata”.

Ankesat e dorëzuara në PZAP kanë të bëjnë me thyerjen e heshtjes zgjedhore, fushatë, dërgim i mesazheve telefonike, thirrje për të votuar subjektin e caktuar politik apo kandidatët e tyre.

“Natyra e ankesave është si vijon: Thyerje e heshtjes zgjedhore, bërja e fushatës zgjedhore, dërgimi i mesazheve, thirrje për të votuar subjektin e caktuar politik apo kandidatët e tyre, parregullsi në vendvotim, votim i shumëfishtë, mospërputhje e rezultateve, shkeljeve të procedurave ligjore dhe kushtetutëse” tha Desku.

Desku mes tjerash tregoi se edhe nga kush i kanë pranuar ankesat teksa për vendimet e ankesave palët do të njoftohen me kohë.

“Birn ka paraqitur shtatë ankesa, tri subjekte politike kanë paraqitur gjashtë ankesa, një komisionere e LDK-së ka paraqitur një ankesë, një kandidat për deputet i PDK-së ka paraqitur një ankesë, një qytetar ka paraqitur një ankesë. Gjithsej janë paraqitur 16 ankesa”.

“Afati për vendosjen e këtyre ankesave është 72 orë nga momenti i dorëzimit të ankesave në PZAP dhe me këto vendime do të njoftohen palët me kohë” tha Desku