Trump shpallet i pafajshëm nga Senati Amerikan

0
67

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump u shpall i pafajshëm nga Senati amerikan, që po e gjykonte për akuzat për kryengritje, pas dhunës në Capitole më 6 janar.

Pesëdhjetë e shtatë senatorë votuan për një verdikt fajësie dhe 43 votuan kundër. Maxhoranca me dy të tretat që nevojitet për dënim nuk u arrit.

Ish-presidenti amerikan republikan ka reaguar menjëherë duke përshëndetur fundin e “gjuetisë së shtrigave”.

Duke u kthyer drejt së ardhmes dhe duke shprehur vullnetin e tij për të vazhduar të luajë një rol politik, ai u zotua të vazhdojë të mbrojë “madhështinë e Amerikës”.
“Nuk ka asgjë që nuk mund të arrijmë së bashku”, theksoi ai në një deklaratë.
Demokratët dëshironin të shihnin Donald Trump të shpallej fajtor për nxitje të kryengritjeve.
Për ata, ai është kryesisht përgjegjës për ngjarjet e 6 janarit, kur një turmë e përkrahësve të tij të zemëruar pushtoi Kapitolin ndërsa Kongresi i SHBA po përgatitej të konfirmonte humbjen e tij në zgjedhjet e 3 nëntorit përballë demokratit Joe Biden.

Pesë persona humbën jetën gjatë dhunës.

“Tani është e qartë, pa një hije dyshimi, që Trump ka mbështetur aktet e turmës së trazuar dhe ai duhet të dënohet. Është kaq e thjeshtë”, theksoi më herët Jamie Raskin, kryeprokurori demokrat, gjatë padisë së tyre të fundit të paraqitur dje para Senatit.

Ky gjyq i dytë i fajësimit të Donald Trump përfundon me një pafajësi të dytë./ATSH