OBSH: 130 vende pa vaksina, prodhuesit të bashkëpunojnë

0
41

Mbi tre të katërtat e vaksinimeve janë zhvilluar vetëm në 10 vende, ndërsa pothuajse 130 vende, me 2,5 miliardë banorë, ende nuk kanë administruar dozën e parë, raportoi Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

“Qeveritë, pasi të kenë vaksinuar punonjësit shëndetësorë dhe të moshuarit, t’i shpërndajnë vaksinat, në mënyrë që edhe vendet e tjera të bëjnë të njëjtën gjë”, tha ai.

Gjithashtu, Ghebreyesus bëri thirrje për një zhvillim masiv të kapaciteteve prodhuese për vaksinat antiCOVID-19, në mënyrë që të mos asgjësohet i tërë përparimi i bërë në luftën kundër pandemisë.

Ai përmendi shembullin e grupit farmaceutik francez “Sanofi”, që ka mbetur prapa në zhvillimin e vaksinës së tij, por ka ofruar të prodhojë nga kjo verë atë të konkurrencës së saj “Pfizer/BioNTech”, tashmë e autorizuar gjerësisht dhe e provuar të jetë efikase.

“Prodhuesit mund të bëjnë më shumë. Ata kanë marrë fonde të konsiderueshme publike dhe ne i inkurajojmë të gjithë të ndajnë të dhëna dhe teknologji për të ndihmuar në qasjen e drejtë të vaksinave në të gjithë botën”, tha drejtori menaxhues.

Sipas tij, rritja e kapacitetit prodhues globalisht do t’i bënte vendet e varfra më pak të varura nga vendet e pasura./ATSH