Biden premton një partneritet më të ngushtë me Afrikën

0
49

Presidenti amerikan, Joe Biden premtoi një partneritet më të ngushtë mes SHBA-së dhe Afrikës dhe deklaroi se shpresonte të merrte pjesë personalisht në samitin e ardhshëm të Unionit Afrikan, një kthesë e politikës amerikane në këtë kontinent, injoruar gjerësisht nga paraardhësi i tij.

Në një mesazh video drejtuar për samitin e Unionit Afrikan, që zhvillohet këtë fundjavë me telekonferencë për shkak të pandemisë së koronavirusit, presidenti amerikan premtoi se do të punonte me afrikanët për prioritetet kyçe të luftës kundër virusit dhe ndryshimin e klimës, duke mbrojtur multilateralizmin për t’i dhënë fund konflikteve në kontinent

“Asnjë nga këto nuk do të jetë e lehtë, por SHBA-ja është tashmë e gatshme të jetë partneri juaj në solidaritet, mbështetje dhe respekt të ndërsjellë”, theksoi Joe Biden.

“Shpresoj të mund të jem me ju personalisht herën tjetër”, shtoi ai.

Në atë që është bërë një nga temat e përsëritura të fillimit të mandatit të tij, presidenti amerikan është i përkushtuar për të promovuar demokracinë dhe të drejtat e pakicave seksuale, shpesh shënjestrat e sulmeve në disa shtete afrikane./ATSH