EMA nis procesin e rishikimit të vaksinës “Novavax”

0
45

Agjencia Europiane e Barnave (EMA) njoftoi sot se ka filluar procedurën e saj të rishikimit për një vaksinë antiCOVID-19, që po zhvillohet nga prodhuesi amerikan i ilaçeve “Novavax”.

“Duke u bazuar në rezultatet fillestare nga testet laboratorike dhe studimet klinike, EMA ka filluar procedurën e saj të rishikimit”, tha agjencia.

Kjo do të thotë se të dhënat dhe rezultatet nga studimet vlerësohen para se të paraqitet një kërkesë zyrtare për autorizimin e tregut, duke shkurtuar procesin.

Provat klinike të vaksinës së prodhuar nga “Novavax” provuan të jenë 89 % efikase në mbrojtjen kundër COVID-19, por më pak efikase në parandalimin e variantit të zbuluar në Afrikën e Jugut.

Nëse ekspertët e EMA-s, pasi të shqyrtojnë të dhënat dhe pasi të jetë dorëzuar një aplikim zyrtar, vendosin të rekomandojnë vaksinën, atëherë është radha e Komisionit të BE-së për të përcaktuar nëse do ta miratojë atë apo jo.

Nëse miratohet, ajo do t’u bashkohet tri vaksinave, nga “AstraZeneca”, “Pfizer-BioNTech” dhe “Moderna”, që janë miratuar për Bllokun./ATSH