Mbërrin vaksina e Pfizer në Shqipëri, Rama: “Janë më pak nga ç’pritej, por sidoqoftë nis vaksinimi i dytë”

0
69

Kryeministri Edi Rama bëri me dije për mediat se dozat e para të vaksinës nga kontrata me kompaninë Pfizer pritet të vijnë sot në mbrëmje, ndërkohë që shtoi se autoritetet janë në përfundim të marrëveshjes me kompaninë AstraZeneca.

“Ne kemi vetëm një spostim në kohë, pasi dozat e para të Pfizer do të vinin në javën e tretë të janarit dhe sipas konfirmimit të fundit, dozat e para mbërrijnë sot në darkë dhe do të vazhdojnë me faza dhe jemi shumë afër një marrëveshjeje përfundimtare me AstraZeneca. Po vazhdojmë kontaktet tona me disa vende, janë 3 shtete me të cilat ne vazhdojmë kontakte dhe jemi në rrugë të mbarë”, tha ai (via Euronews.al).

I pyetur për numrin e vaksinave, Rama tha:

“Nuk e kam tani në këtë moment, se dua të jap shifër të saktë, sa do të jenë dozat që do të mbërrijnë sot. Muaji shkurt do të jetë një muaj me qartësi mbi gjithë procesin. Sot do të vijnë doza më pak sesa ato që ishin angazhuar, por sidoqoftë e rëndësishme është që fillon vaksinimi i dytë.”

Në një intervistë për Open në mes të janarit, Rama sqaroi si ishte planifikuar të vijohej me dozat e Pfizer. “Kemi garantuar 500 mijë doza [nga Pfizer]. 10,780 do vijnë në janar. 30,000 të tjera në shkurt. Kemi parashikuar me tre skenare ta mbyllim për 14 muaj,” tha ai.

Ndër të tjera u ndal edhe te kontrata me COVAX.

“Zhvillohen negociata dhe bisedime në të gjitha anët mes palëve, sepse disa vende janë më të mbuluar dhe një pjesë tjetër janë të zbuluar. Faktikisht, rajoni ynë është lënë zbuluar sepse nuk është përfshirë në skemën e shpërndarjes së Bashkimit Europian, ndërkohë që ne kemi parapaguar si të tjerët platformën e COVAX. [COVAX, një nismë globale që bashkon qeveritë dhe prodhuesit për të siguruar që vaksinat e Covid-19 të arrijnë tek ata që kanë më shumë nevojë]. Shpresojmë që ajo të zhbllokohet në një moment të caktuar. Por janë një sërë vendesh në rajonin tonë që nuk e kanë filluar vaksinimin sepse po presin COVAX, ndërkohë që ne kemi bërë punën paralele.”

Dozat e para të procesit të vaksinimit, 957 saktësisht, u dhuruan për Shqipërinë nga një shtet europian, emri i të cilit u mbajt sekret.