Shqiptarja, pretendente për të thyer rekordin Guinness për herë të tretë

0
196

Arbnora Fejza-Idrizi, me profesion mësuese, vjen nga Skënderaj, Kosovë dhe pret të thyejë një rekord të tretë Guinness.

Në vitin 2018, ajo u kualifikua për të thyer rekordin e atëhershëm të një punimi origami, që është art japonez, i cili konsiston në palosjet e letrës, me të cilin Arbnora merret prej më shumë se 10 vitesh.

E gjithë puna e saj u realizua në parketin e Palestrës Sportive të Qendrës së Kompetencës në Skenderaj.

“Lulja më e madhe origami me përmasa 8.70 m në diametër, u arrit nga Arbnora Fejza Idrizi.”

Në 2020-ën, Arbnora bëhet pjesë e një tjetër rekordi, kësaj radhe me vazon 3D, me lule dhe flamujt që kanë njohur Kosovën si shtet.

Për realizimin e saj janë përdorur 69.000 copa letre origami dhe për punimin nuk është përdorur në asnjë moment ngjitës.

“Punimi paraqet popullin tonë të përvuajtur dhe te bashkuar, ndërsa lulet dëshmorë. Në ketë punim kemi punuar 15 ditë nga 4 orë. Vëzhgimi ka qenë nga dy profesorë të kualifikuar të artit, një arkitekt dhe 8 nxënës, që kanë shërbyer si ndihmës. Ndërsa punimi është punuar tërësisht nga unë”, shprehej Idrizi.

Ndërkohë, në programin “ABC e Mëngjesit”, Arbnora u shpreh se po punon me 120 mijë topa letre për të realizuar flamurin kosovar në një palestër në Skënderaj.

“E para ka qenë një lule, por ka qenë e vështirë pasi nuk ka patur material si ai që kërkonim. Ndërsa rekordi i dytë ka qenë me topa letre. Ka qenë përsëri i vështirë, pasi kishim problem se mos prishej, duke qenë se kishte vetëm letër dhe asnjë element tjetër”.

Ndër shqiptarë të tjerë, punët e të cilëve janë njohur nga Guinness, është edhe artisti Saimir Strati, i cili rekordin e fundit Guinness e ka thyer me portretin e Nënë Terezës, ku ka përdorur mbi 1.5 milion kapëse teli.

Edhe Agim Agushi, shqiptari i Kosovës, i njohur për mbajtjen e topit me kokë, ka thyer rekordin Guinness, i cili është mbajtur në Kosovë. Ai e ka mbajtur topin në kokë me tundje për 4 orë, 2 min e 01 sekonda, duke qëndruar i ulur gjatë gjithë kësaj kohe pa lëvizur.

Shaban Binaku, rreth 4 vite më parë, ka fituar çmimin më të madh të lotarisë që është fituar ndonjëherë, në një bingo në Londër, duke hyrë kështu në librin e rekordeve “Guinness”.

Burimi: Guinness World Records, KOHA, ABC News