Epifania 3C: Si japonezët e kuptuan Covidin më mirë se kushdo tjetër

0
111

Kur Diamond Princess, një anije udhëtimi ku u përhap një numër i lartë infeksionesh me Covid, mbërriti në Japoni në shkurt, u duk si fat i keq. Megjithatë, ekspozimi i hershëm u dha disa mësime autoriteteve që ndihmuan për ta bërë epideminë e Japonisë më të butën nga çdo ekonomi e madhe në botë, megjithëse ka një rritje të fundit të infeksioneve.

Një total prej pak më shumë se 4,300 njerëz kanë ndërruar jetë nga koronavirusi në Japoni. Nëse shifra nuk ju thotë asgjë, mjafton të merrni parasysh se Japonia ka më shumë se 126 milionë banorë. Çuditërisht, Japonia e ka arritur këtë sukses pa kufizime të rrepta ose testime masive.

“Që prej fillimit, ne nuk kërkuam ta kontrollonim atë,” tha Oshitani Hitoshi, një virolog i cili qëndron në një panel ekspertësh që këshillojnë qeverinë. Kjo do të kërkonte identifikimin e të gjitha rasteve të mundshme, gjë që nuk është e mundur në një vend të madhësisë së Japonisë kur shumica e infeksioneve prodhojnë simptoma të lehta ose pa simptoma, argumentoi ai. Japonia kryen më pak teste në G7; diçka më shumë se 200 të tillë në ditë.

Qeveria u përpoq të zbatonte mësimet e nxjerra nga Diamond Princess. Pasi oficerët dhe infermierët u infektuan në anije, pavarësisht protokolleve të ndjekura, ekipi i Oshitani-t arriti në përfundimin se virusi përhapet në ajër. Që në në mars, autoritetet japoneze filluan të paralajmëronin qytetarët të shmangnin san-mitsu ose “3C”: hapësira të mbyllura, vende të mbushura me njerëz dhe vende të kontaktit të ngushtë. Këshillat u transmetuan në mediat tradicionale dhe sociale. Kjo metodë u konsiderua si Epifania 3C, referuar kuptimit të fjalës “epifani” – një kuptim intuitiv i realitetit, një zbulim ose vizion ndriçues.

Studiuesit vendosën Fugaku, super-kompjuterin më të shpejtë në botë, për të modeluar situata të ndryshme. Metro të mbushura me njerëz paraqesin pak rrezik, nëse dritaret janë të hapura dhe pasagjerët kanë maska. Kinematë janë të sigurta, “edhe nëse shikuesit hanë kokoshka”, thotë Nishimura Yasutoshi, ministri që mbikëqyr reagimin e qeverisjes ndaj Covid-19.

Qeveria japoneze paralajmëroi për pesë rreziqe më specifike: darkat me alkool; takimet në grupe prej më shumë se katër njerëz; të folurit nga afër pa mbajtur maskë; jetesën në konvikte dhe hapësira të tjera të vogla të përbashkëta; përdorimi i dhomave të zhveshjeje.

Sigurisht, këto këshilla do të ishin të kota nëse njerëzit e zakonshëm do t’i kishin injoruar. Japonezët i morën seriozisht këshillat. Qëndruan në shtëpi kur kishin simptoma, ndonëse paralajmërimet nuk kishin fuqi ligjore. Kur amerikanët dhe qytetarë të tjerë nëpër botë argumentonin se maska është sulm ndaj lirisë personale, në Japoni nuk ndodhi kështu.

Burimet: The Economist, The Washington Post, Worldometer