Shqiptarët e Luginës së Preshevës mund të udhëtojnë tranzit në Kosovë me letërnjoftim ose leje qëndrim të Zonës Schengen

0
75

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton se pas një pune intensive është mundësuar për të gjithë shqiptarët nga Lugina e Preshevës të cilët jetojnë në Konfederatën Zvicerane, që të udhëtojnë drejt Republikës së Kosovës duke përdorur Letërnjoftimin (ID) ose Leje-qëndrimin e vlefshëm biometrik të lëshuar nga shtetet anëtare të BE-së apo shtetet anëtare të Zonës Schengen, ku përfshihet edhe Konfederata Zvicerane.

Posedimi i këtyre dokumenteve, do të mjaftojë për të kaluar transit apo për të qëndruar deri në 90 ditë në territorin e Republikës së Kosovës. Vështirësi të tilla për udhëtim nuk do të paraqiten më as nga aeroporti i Cyrihut apo aeroporte të tjera në Konfederatën e Zvicrës.

Në mungesë të letërnjoftimeve të lëshuara nga autoritetet e Serbisë dhe për shkak të fshirjes së adresave të tyre nga autoritet serbe, deri më sot shqiptarët e Luginës së Preshevës të cilët jetojnë në Konfederatën Zvicerane, janë privuar të udhëtojnë drejt Luginës përmes Republikës së Kosovës.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj.Meliza Haradinaj-Stublla, ka ngritur disa herë deri tash shqetësimin e saj për pasivizimin e adresave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Në vijim të deklaratës së përbashkët me Ministrinë për Evropë dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, mbi problematikën e pasivizimt të adresave të shqiptarëve në Luginë, ri-përsëris nevojën për reagimin e menjëhershëm për shkeljet e të drejtave themelore të shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga autoritetet e Serbisë. Kjo praktikë shtetërore që po zbatohet në mënyrë arbitrare dhe të qëllimshme përbën një formë të re të shtypjes së ushtruar ndaj shqiptarëve atje. Institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të mbesin më në heshtje, dhe qëndrojmë pranë bashkëkombësve tanë atje”, ka thënë me këtë rast ministrja znj.Meliza Haradinaj-Stublla.