Miliarderi i Alibaba-s, Jack Ma, raportohet ‘i humbur’ që prej tetorit, pas kritikoi qeverinë kineze

0
1972

Spekulimet për vendndodhjen e Jack Ma sa vijnë e shtohen, pasi ai nuk është parë në publik prej më shumë se dy muajsh.

Në fund të tetorit, bashkëthemeluesi i Alibaba-s qëndroi përkrah zyrtarëve të lartë dhe mbajti një fjalim të prerë duke kritikuar rregullatorët kombëtarë.

Burime të ndryshme thonë se kjo “e zemëroi” presidentin e Kinës, Xi Jinping, raporton The Guardian.

Në muajt në vijim, rregullatorët morën në pyetje Ma-n dhe drejtues të tjerë dhe ndaluan atë që do të kishte qenë oferta më e madhe në botë e aksioneve të kompanisë së tij, Ant Group.

Më vonë, ata filluan hetime ndaj Alibaba-s dhe konkurrentit të tij kryesor, TenCent, si dhe morën Ant Group në pyetje.

Në fund të dhjetorit, rregullatorët urdhëruan Jack Ma-n, që të “shkatërronte” pernadorinë e tij.

Dalja e tij e fundit publike duket të ketë qenë në një ngjarje të transmetuar drejtpërdrejt në 31 tetor, një ceremoni hapëse e ngjarjes vjetore kineze të blerjeve “Double 11”.

Në nëntor, ai thuhet se nuk u shfaq në rolin e tij si gjyqtar për episodin e fundit të lojës së sipërmarrësve, “Africa’s Business Heroes”.

Ma u zëvendësua me një tjetër ekzekutiv të Alibaba-s dhe fotografia e tij u hoq nga faqja e internetit.

Ai gjithashtu nuk u paraqit në takimin e dhomës së tregtisë së Shangait Zhejiang të këtij viti, ku ka mbajtur një fjalim çdo vit që nga viti 2016.

Bloomberg raportoi që Ma ishte paralajmëruar në fillim të dhjetorit të mos largohej nga vendi. Një hashtag “Ma Yun ndalohet të largohet nga Kina” – duke iu referuar emrit kinez të Ma – ishte censuruar në Weibo, por emri i tij nuk renditet publikisht në asnjë bazë të dhënash kombëtare të njerëzve që u nënshtrohen ndalimeve të tilla.

Nuk ka ende konkluzione të sakta, pasi informacioni nuk është i plotë, por BBC citoi një punonjës të Alibaba-s, që thoshte se “Ma shpesh merr pushime, para vitit të ri kinez, në shkurt”.

Martin Chorzempa, një studiues në Institutin Peterson për Ekonomi Ndërkombëtare thotë se kjo është e pritshme:

“Ju s’do donit të ishit në vëmendjen e publikut, kur kompania që keni është në një situatë të komplikuar politike.”

Sidoqoftë, goditjet e ndryshme mbi perandorinë e Ma-së janë interpretuar të gjitha si “përpjekje e qeverisë së Kinës për të frenuar një biznesmen që po tejkalon kufirin, pasi është bërë i njohur ndërkombëtarisht dhe nuk ka frikë të kritikojë publikisht qeverinë e partisë Komuniste Kineze”.

Aksionet në Alibaba në bursën e Hong Kongut ranë me 2.15% të hënën.