Me homazhe shënohet përvjetori i sulmit të parë ndaj familjes Jashari

0
37

Për nder të përvjetorit të sulmit të parë ndaj familjes Jashari, njëherit Ditës së Veteranit, i pari i komunës, Bekim Jashar, i së bashku me nënkryetarin e komunës Nuredin Lushtaku, deputetin e Kuvendit të Kosovës, Bekim Haxhiu, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, Policinë e Kosovës si dhe bashkëpunëtor të tjerë, filluan shënimin e kësaj dite me nderime tek shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari, në sheshin e qytetit.

Homazhet më pas vazhduan në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, ku u nderua kontributi i jashtëzakonshëm i familjes Jashari në lirinë e vendit, njofton Klan Kosova.

Në shenjë nderimi homazhe u bënë edhe në Kompleksin e Varrezave në Marinë, ku nderuan të gjithë të rënët në altarin e lirisë.

Kryetari Jashari me rastin e këtij përvjetori, ngriti lart kontributin e dhënë nga dëshmorëve të kombit të cilët jetësuan ëndrrën shekullore për Liri dhe Pavarësi.

“Ne sapo bëmë homazhe në Kompleksin Memorial Adem Jashari, së bashku me Shoqatat e dala nga lufta, veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, asamblistë, shoqëri civile, policinë duke përkujtuar me nderë dhe respekt sakrificën e gjithë dëshmorëve, në veçanti të familjes Jashari, gjatë sulmit 29 vjet më parë, është një periudhë me plot sakrifica, vuajtje deri në çlirimin e vendit, por që sot na jep kurajë dhe vullnet për të ecur përpara dhe për të realizuar amanetin e dëshmorëve që ranë për këtë ditë të sotme”, tha Jashari.

Për nder të kësaj date në seancën e Kuvendit Komunal, në shenjë nderimi u mbajt një minutë nderim për të gjithë dëshmoret e kombit.