Ditët e para të vitit 2021 kryesisht me diell

0
47

Mbetet mot i butë. Natën me reshje shiu. Ditët e para të vitit 2021 kryesisht me diell. Nga e diela sërish me shi.
30.12.2020 – Sonte gjatë natës cikloni nga Italia do të kaloj në veri të rajonit, e që nga vendi ynë kushtëzon mot kryesisht të vranët dhe me të reshura shiu. Me të kaluar ky ciklon orëve të pasdites së nesërme vransirat shpërndahen, mirëpo fronti i ftohtë i këtij cikloni sjell masa pak më të ftohta ajrore, që shkurtimisht zbret lehtë temperaturat e ajrit.
Nga Afrika veriore një anticiklon në ditët e para të fundjavës, krijon një kreshtë barike edhe mbi rajonin tonë, që do të favorizojë mot kryesisht me kthjellime dhe intervale më të gjata me diell, e rrymat e ngrohta ajrore mbajnë temperaturat ende mbi vlera mesatare.
Nga dita e diel sërish rikthehen vransirat dhe të reshurat e shiu. Reshje bore pritet të ketë vetëm në vise malore.
Kushtet më të favorshme meteorologjike, me mot më të butë dhe me qarkullim të mjaftueshëm ajror, mbajnë ndotësit ajror jo shumë të përqëndruar pranë sipërfaqes tokësore. Indeksi i cilësisë së ajrit mund të mbetet në vlera të mjaftueshme dhe mesatare, mirëpo orëve të mbrëmjes dhe me qetësimin e erërave mund të kalojë edhe në vlera të dobëta.
31.12 – Paradite vende-vende vazhdojnë reshjet e shiut, e në vise malore të borës. Ditën vransirat do të shpërndahen, e do të ketë intervale me diell. Në mbrëmje kryesisht me kthjellime.
1.01.2021 – Kryesisht kthjellët dhe me diell. Në mëngjes më ftohtë, në ultësira mundësi për mjegull/mjegullinë.
2.01 – Në mëngjes më ftohtë dhe ngrica. Përgjatë ultësirave me mjegull/mjegullinë. Ditën mot kryesisht i kthjellët dhe me diell.
3.01 – Kryesisht vranët dhe me reshje lokale shiu. Në vise malore me mundësi edhe për borë.
4.01 – Kryesisht me vransira dhe me mundësi për reshje lokale shiu.
Temperaturat e ajrit mbeten të larta për këtë periudhë, megjithëse parashihet një tendencë e rënies së lehtë në fundjavë. Minimalet parashihet të zbresin deri në -2C, e më pas rriten në +3C, e maksimalet luhaten nga 7C deri 9C.
Do të fryj erë e lehtë dhe mesatare kryesisht nga krahu jugor 4-10m/s.
Shtypja atmosferike me një tendencë të rritjes, e nga dita e diel në rënie përreth vlerave normale.