OBSH: “Kjo pandemi nuk është domosdoshmërisht më e rënda”

0
67

Ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë paralajmëruar se edhe pse pandemia e koronavirusit ka qenë shumë e rëndë, ajo “nuk është domosdoshmërisht më e rënda” dhe se bota do të duhet të mësojë të jetojë me Covid-19.

“Bota ka shpresuar për imunitetin e tufës, që disi do të zvogëlonte transmetimin nëse shumë persona do të ishin imunë,” tha për mediat Prof. David Heymann, kryetar i grupit këshillues strategjik dhe teknik të OBSH-së për rreziqet infektive. Por Heymann, i cili është gjithashtu një epidemiolog me Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, tha se koncepti i imunitetit të tufës ishte keqkuptuar.

“Duket se fati i SARS-CoV-2 [Covid-19] është të bëhet endemik, ashtu si edhe katër koronavirusë të tjerë njerëzorë dhe se ai do të vazhdojë të shndërrohet ndërsa riprodhohet te qelizat njerëzore. Për fat të mirë, ne kemi mjete për të shpëtuar jetë dhe këto në kombinim me shëndetin e mirë publik do të na lejojnë të mësojmë të jetojmë me Covid-19.”

Shefi i programit të emergjencave të OBSH-së, Dr. Mark Ryan, tha: “Skenari i mundshëm është që virusi të bëhet një tjetër virus endemik që do të mbetet disi një kërcënim, por një kërcënim i një niveli shumë të ulët.” Ryan paralajmëroi se pandemia tjetër mund të jetë më e rëndë.

“Kjo pandemi ka qenë shumë e rëndë; ka prekur çdo cep të këtij planeti. Por kjo nuk është domosdoshmërisht më e madhja. Kjo është një telefonatë zgjimi. Tani po mësojmë si t’i bëjmë gjërat më mirë: shkencën, logjistikën, trajnimin dhe qeverisjen, si të komunikojmë më mirë. Por planeti është i brishtë.”