Gjykimi ndaj grupit kriminal që mashtroi qytetarët për shitjen e banesave, vazhdon me dëgjimin e të dëmtuarve

0
126

Gjykimi ndaj gjashtë të akuzuarve për krim të organizuar, mashtrim, shpërlarje të parave, shkaktim të falimentimit dhe shmangie nga tatimi, sot ka vazhduar me dëgjimin e tre të dëmtuarve që u dëgjuan në cilësinë e dëshmitarëve, raporton Drejtësia Sot.

Të akuzuar në këtë rast janë: Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku, Burim Vokrri, Xhemajl Arifi, Valon Orllani dhe Faton Orllani.

Në gjykimin e mbajtur pranë Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore të Pejës, fillimisht dëshmoi i dëmtuari në cilësinë e dëshmitarit L.E., i cili tha se me të akuzuarën Estrida, ka rënë në kontakt përmes një shokut të tij i cili i ka rekomanduar se ajo shet banesa me çmime të volitshme. Ai shtoi se pasi ishte takuar me Estridën, kishte parë planin dhe vendin e ndërtimit, ka bërë nënshkrimin e një parakontrate me ç’rast ka paguar shumën prej 4000 euro paradhënie.

Dëshminë e tij e vazhdoi duke shtuar se pasi që banesat nuk po mund të ndërtoheshin në vendin për të cilin ishte marrëveshja, atëherë kishte lidhur një parakontratë të re për blerjen e dy banesave dhe dy garazhave në një vend tjetër. Në fund të dëshmisë së tij ai theksoi se shuma totale të cilën e ka paguar për banesat që asnjëherë nuk i ka shfrytëzuar është 24.000 euro.

Pas tij dëshminë e dha A.Ç., i cili njëjtë është i dëmtuar dhe në cilësi të dëshmitarit tregoi se si ka lidhur parakontratën me të akuzuarën Bunjaku dhe se si janë bindur për të paguar shumën e parave për banesë. Ai tregoi se shumën e parave prej 17.500 euro e ka paguar në disa rata ndërsa shtoi se këto mjete nuk i janë kthyer asnjëherë.

I fundit, u dëgjua A.B., i cili njëjtë vazhdoi me dhënien e dëshmisë se si kishte rrjedhur e gjithë ngjarja prej lidhjes së kontratës e deri tek mos realizimi i saj. Ai ndër të tjera deklaroi se shuma totale të cilën e ka paguar është 13.400 euro, shumë kjo e cila nuk i është kthyer asnjëherë.

Vlen të përmendet se gjatë dhënies së dëshmisë së këtyre tre të dëmtuarve në cilësinë e dëshmitarëve asnjëri nga mbrojtësit e të akuzuarve nuk e paraqiten asnjë pyetje.

Në fund, gjyqtarja Husaj-Rugova, njoftoi se seanca e radhës për këtë rast do të mbahet me 08 janar 2021.

Vlen të përmendet se ky rast po gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarja Violeta Husaj-Rugova që ka cilësinë e kryetares së trupit gjykues, ndërsa gjyqtarët Sami Sharaxhiu dhe Shaqë Curri janë anëtarë të trupit gjykues.

Prokuroria Speciale e Kosovës, me aktakuzën e ngritur në vitin 2016, të akuzuarit Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku dhe Burim Vokrri, i ngarkon me veprat penale “Krim i organizuar” dhe “Mashtrim”, pasi që të tretë duke vepruar si grup kriminal kanë përfituar mjete financiare në vlerë rreth 2 milionë euro, përmes mashtrimit të qytetarët lidhur me shitjen e banesave.

Pika e dytë e aktakuzës ngarkon Estrida Bunjakun, Xhemajl Arifin, Burim Vokrrin, Valon Orllanin dhe Faton Orllanin, me veprën penale “Shpërlarje e parave”.

Ndryshe sipas kësaj pike të dispozitivit, mjetet e përfituara nga aktivitetet kriminale në vlerë prej 2 milionë euro, të akuzuarit kanë tentuar ti konvertonin, transferonin, me qëllim të fshehjes apo të maskimit të natyrës, burimit, vendit ose pronësisë së pasurisë.

Ndërsa pika e tretë dhe e katërt e aktakuzës e ngarkon të akuzuarën Estrida Bunjaku edhe më dy vepra penale, atë “Shkaktim i falimentimit” dhe “Shmangies nga tatimi”.