Shenjat e sjelljes pasivo-agresive

0
126

Çfarë është sjellja pasivo-agresive?

Njerëzit me sjellje pasivo-agresive i shprehin ndjenjat e tyre negative në mënyrë delikate përmes veprimeve në vend që t’i trajtojnë ato drejtpërdrejt. Kjo krijon një ndarje midis asaj çfarë ata thonë dhe asaj çfarë bëjnë.

Për shembull, supozojmë se dikush propozon një plan në punë. Një person me sjellje pasivo-agresive mund ta kundërshtojë planin, por në vend që të shprehë mendimin e tij, ai thotë se pajtohet me të. Ndonëse është kundër, ai nuk thotë asgjë, por më vonë shkakton probleme.

Një tjetër shembull: Një vajzë po studion me të dashurin e saj në të njëjtën dhomë. Ajo është e mërzitur me të, por në vend që t’ia thotë, vendos muzikë me zë të lartë që ta shqetësojë.

Sjellja pasivo-agresive mund të jetë simptomë e disa çrregullimeve mendore, por nuk konsiderohet të jetë një gjendje e veçantë e shëndetit mendor. Kjo lloj sjelljeje mund të ndikojë në aftësinë e një personi për të krijuar dhe mbajtur marrëdhënie të shëndetshme dhe mund të shkaktojë probleme në punë. Sidoqoftë, ka mënyra për të menaxhuar sjelljen pasivo-agresive në mënyrë që ajo të mos ketë një ndikim negativ në cilësinë e jetës së dikujt.

Shenjat e sjelljes pasivo-agresive

Zakonisht ekziston një ndarje midis asaj çfarë thotë një person me sjellje pasivo-agresive dhe asaj çfarë bën. Sjellja e këtyre njerëzve shpesh zemëron anëtarët e familjes, miqtë dhe bashkëpunëtorët. Sidoqoftë, personi mund të mos jetë i vetëdijshëm për sjelljen e tij.

Shenjat më të zakonshme janë:
– dëshirë për të kritikuar ose për të dalë kundër diçkaje
– kryerja e detyrave në mënyrë joefikase
– veprime armiqësore dhe cinike
– kokërfortësia e tepërt
– të fajësuarit e të tjerëve
– ankesa se nuk vlerësohen
– pakënaqësi ndaj kërkesave të të tjerëve

Shkaqet e sjelljes pasivo-agresive

Shkaku i saktë i sjelljes pasivo-agresive nuk dihet. Sidoqoftë, faktorët biologjikë dhe mjedisorë mund të kontribuojnë në zhvillimin e kësaj sjelljeje.

Studiuesit besojnë se njerëzit që shfaqin sjellje pasivo-agresive fillojnë të sillen kështu që në fëmijëri. Stili i prindërimit, dinamika e familjes dhe ndikimet e tjera të fëmijërisë mund të jenë faktorë kontribues. Abuzimi, neglizhimi dhe ndëshkimi i ashpër i fëmijëve gjithashtu mund të bëjnë që një person të zhvillojë sjellje të tilla.

Kushtet shëndetësore themelore mund të rezultojnë në sjellje që duken të ngjashme me sjelljen pasivo-agresive, të tilla si:
– stresi
– çrregullime ankthi
– depresioni
– çrregullime të sjelljes
– çrregullimi bipolar
– skizofrenia
– varësia ndaj alkoolit dhe substancave narkotike

Identifikimi i sjelljes pasivo-agresive

Sjellja pasivo-agresive nuk është një çrregullim mjekësor, kështu që një mjek nuk mund ta diagnostikojë atë. Sidoqoftë, një profesionist i trajnuar i shëndetit mendor mund të ndihmojë që të identifikohet një sjellje e cila ka nevojë për trajtim. Ata do të bëjnë pyetje në lidhje me simptomat dhe sjelljet, duke përfshirë edhe kohën kur ato filluan dhe efektet që kanë në jetën, punën dhe marrëdhëniet e dikujt.

Burimi: Healthline, WebM, Anabel