Arrestohen dy persona të dyshuar për përfshirje në 25 vepra penale të vjedhjeve

0
99

Drejtoria Rajonale Gjakovë, përmes hetuesve të stacionit policor në Gjakovë, kanë realizuar një plan taktik të bazuar në informacionet dhe hetimet intensive, i cili ka rezultuar me zbulimin dhe arrestimin e dy personave të dyshuar të përfshirë në veprimtari kriminale.

Hetuesit policorë duke përdorur metoda të avancuara të hetimit dhe zbulimit, kanë arritur t’i identifikojnë dy personat e dyshuar edhe pse të njëjtit kanë përdorur forma të ndryshme të mbulimit, hetime këto të cilat po vazhdojnë edhe në zbulimin dhe arrestimin e personave të tjerë, që dyshohet se janë përfshirë në këto raste dhe raste tjera të mundshme.
Personat e dyshuar (M. I. viti i lindjes 2003) dhe (I. B. viti i lindjes 1999), janë arrestuar mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në njëzetë e pesë (25) vepra penale të kategorisë“ Vjedhje e Rëndë”, të kryera në lokacione të ndryshme.

Të dyshuarit gjatë intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, kanë pranuar se në bashkëveprim me persona të tjerë kanë kryer vjedhjet për përfitime materiale, cak i të cilave kanë qenë lokale, bare, restorante e lokacione të tjera.

Në cilësi të provave materiale janë konfiskuar mjetet të ndryshme, përderisa personat e dyshuar me vendim të prokurorit kompetent janë dërguar në mbajtje.