BE miraton vaksinën BioNTech-Pfizer kundër Covid

0
56

Miratimi nga rregullatorët dhe Komisioni Evropian do t’i lejojnë vendet të fillojnë vaksinimet ndaj koronavirusit para fundit të vitit. Shtetet e BE aktualisht po përballen me një valë të dytë më të rëndë të COVID.

Agjencia Evropiane e Medikamteve (EMA) dhe Komisioni Evropian miratuan të hënën vaksinën kundër koronavirusit BioNTech-Pfizer. Kjo do të thotë që vaksinimi masiv i rreth 450 milionë njerëzve në të gjithë BE-në është një hap më pranë.

Vlerësimi pozitiv i EMA-s për vaksinën pritej gjerësisht. Vendet e BE po përballen me një valë të dytë të ashpër të virusit.

Autoriteti për miratimin e medikamenteve në BE, i vendosur në Amsterdam, ishte nën presion nga vendet evropiane, përfshirë Gjermaninë, për të përshpejtuar vendimin e tij, i cili ishte planifikuar fillimisht për 29 dhjetor.

“Ne i dhamë autorizim të kushtëzuar për treg vaksinës së prodhuar nga BioNTech dhe Pfizer,” tha në një deklaratë Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vetëm disa orë pas rekomandimit të EMA-s për të miratuar vaksinën. “Unë gjithmonë kam thënë gjatë kësaj pandemie se pandeminë do ta përballojmë të gjithë bashkë.”

Miratimi shënon një ‘arritje historike shkencore’

Rekomandimi i EMA vlen për personat 16 vjeç e më lart, tha Presidentja e EMA, Emer Cooke.

“Ky është një hap i rëndësishëm përpara në luftën tonë kundër kësaj pandemie, e cila po shkakton vuajtje dhe vështirësi për kaq shumë njerëz, jo vetëm në Evropë, por në të gjithë botën,” tha ajo. “Kjo është me të vërtetë një arritje historike shkencore. Brenda më pak se një viti, një vaksinë zhvillohet dhe autorizohet kundër një sëmundjeje të re.”

Përveç moshës, kufizimet prekin edhe gratë shtatzëna. Meqenëse për këtë grup ka vetëm të dhëna të kufizuara, duhet të vlerësohet rast pas rasti a do të ishte e sigurt të jepet vaksina, tha Harald Enzmann, Kryetari i Komitetit të Mjekësisë Humane në EMA.

“Sot është një ditë veçanërisht personale dhe emocionale për ne në BioNTech,” tha Ugur Sahin, shefi ekzekutiv i kompanisë dhe bashkëthemeluesi i saj. “Duke qenë në zemër të BE-së, ne jemi të entuziazmuar që jemi një hap më pranë, për të ofruar vaksinën e parë në Evropë për të ndihmuar në luftimin e kësaj pandemie shkatërruese.”

Cilat janë hapat e ardhshëm?

Përgatitjet për vaksinimit vijnë kur identifikimi i një lloji të ri shumë infektiv të koronavirusit në Britani shkaktoi kaos në të gjithë rajonin, me disa shtete të BE që mbyllën itineraret e udhëtimit me Britaninë e Madhe dhe ndërprerje të tregtisë përpara festës së Krishtlindjeve.

Zyrtarët e EMA thanë në një konferencë për shtyp se ka shumë të ngjarë që vaksina të ketë efekt edhe kundër variantit të ri të koronavirusit.

“Ka shumë të ngjarë që vaksina të ofrojë mbrojtje edhe kundër këtij varianti të ri,” tha Marco Cavaleri, Shefi i Strategjisë Biologjike dhe Vaksinave te EMA.

Agjencia tha se nuk kishte ende prova në lidhje me llojin e ri, por shtoi se vaksina gjeneron antitrupa që mund të neutralizojnë variante të ndryshme me mutacione.

“Tani për tani, nuk jemi shumë të shqetësuar,” tha ai.

Zyrtarët gjermanë kanë thënë që shpërndarja e vaksinës mund të fillojë në 27 dhjetor. Kompanitë farmaceutike duhet gjithashtu të paraqesin të dhëna shoqëruese për vaksinat e tyre për vitin e ardhshëm.

EMA tha se kishte punuar gjatë gjithë kohës por duhej të sigurohej që vaksina të ishte e sigurt dhe efektive përpara se të jepte miratimin e saj.

Cilat vende e kanë miratuar vaksinën tashmë?

Kritika ndaj EMA ishte rritur pasi të dy rregullatorët e Britanisë së Madhe dhe SHBA i dhanë vaksinës dritën e gjelbër dhe filluan vaksinimet në javët e fundit. SHBA tani ka aprovuar një vaksinë të dytë, të prodhuar nga firma farmaceutike Moderna.

EMA ka thënë se do ta përshpejtojë vendimin e saj të autorizimit për vaksinën e Modernas deri më 6 janar, gjashtë ditë më shpejt sesa ishte planifikuar.

Çfarë është vaksina BioNTech-Pfizer?

Vaksina prodhohet bashkërisht nga firma gjermane BioNTech dhe gjigandi farmaceutik amerikan Pfizer.

Ajo është provuar së është 95% efektive kundër COVID-19 në testime globale. Vaksina përbëhet nga dy doza që injektohen me tre javë distancë kohore.

Transporti mund të paraqesë sfida logjistike, pasi vaksina duhet të ruhet në -70 gradë Celsius, një temperaturë shumë më e ulët se temperaturat e ftohjes standard. Kjo e detyroi kompaninë të zhvillojë kontejnerë të veçantë për transport.