Mbreti suedez: Dështuam përballë Covid-19

0
177

Suedia dështoi në përgjigjen e saj ndaj pandemisë së koronavirusit, tha mbreti suedez, Carl XVI Gustaf.

“Unë mendoj se kemi dështuar. Ne kemi një numër të madh viktimash dhe kjo është e tmerrshme”, tha mbreti në një klip të transmetuar sot, nga një dokumentar i fundvitit mbi familjen mbretërore.

Suedia, e cila ka një popullsi prej rreth 10 milionë banorësh, ka raportuar mbi 7 800 vdekje të lidhura me virusin, një numër shumë më i lartë se fqinjët e saj nordikë.

”Pandemia ka qenë e tmerrshme duke marrë parasysh viktimat, trishtimin dhe zhgënjimin në shumë familje dhe madje edhe shumë pronarë biznesesh që janë në zgrip”, tha ai.

Një komision i caktuar nga qeveria arriti në përfundimin se vendi dështoi të mbrojë të moshuarit në shtëpitë e kujdesit dhe në institucione të tjera të kujdesit afatgjatë gjatë pandemisë, duke rezultuar në një numër të madh të vdekjeve.

Në intervistën për SVT, mbreti vuri re se sa sfiduese duhet të ketë qenë për shumë njerëz që nuk kanë qenë në gjendje t’i thonë lamtumirën e duhur të dashurit të tyre për shkak të rrezikut të infeksionit.

I pyetur nëse kishte frikë nga infektimi me Covid-19, monarku 74-vjeçar u përgjigj se ”kohët e fundit, pandemia është më e prekshme, është zvarritur gjithnjë e më afër nesh. Nuk është diçka që ju dëshironi”.

Sipas kushtetutës suedeze, mbreti nuk ka asnjë pushtet politik zyrtar.

Ai është kritikuar në të kaluarën për tejkalimin e autoritetit kur shprehte pikëpamjet e tij.

Në fazat e hershme të pandemisë, mbreti dhe mbretëresha Silvia, u izoluan në pallatin Stenhammar, rreth 120 kilometra në jugperëndim të Stokholmit./atsh