Në cilat raste shtëpitë janë “zonë e nxehtë” për transmetimin e virusit

0
87

Një analizë e re që shqyrtoi 54 studime në mbi 20 vende zbuloi se shtëpitë, ku dikush ishte i sëmurë me Covid, vazhdonin të ishin pika të nxehta për transmetimin e virusit, edhe nëse përhapja e përgjithshme e komunitetit ishte në rënie.

“Ky është edhe një studim tjetër që na kujton sesa ngjitës është virusi që shkakton Covid-19 dhe sa e vështirë është të shmangni infektimin e të tjerëve, nëse jetoni në një shtëpi të mbushur me njerëz, shumë gjenerata”, tha analistja mjekësore e CNN, Dr. Leana Wen.

Bashkëshortët ishin në rrezik më të lartë se anëtarët e tjerë të familjes, për shkak të gjumit në të njëjtën dhomë, intimitetit dhe kontaktit të zgjatur, sipas një studimi të botuar të hënën në revistën JAMA Network Open.

Rreziku ishte më i lartë nëse anëtari i familjes shfaqte simptoma të Covid-19, të tilla si kollë, teshtimë, dhimbje trupi, ethe, sesa në rastet kur shfaqte pak ose aspak shenja të virusit.

Një studim i fundit nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) zbuloi se infeksioni midis anëtarëve të shtëpisë ndodh shpejt.

Sipas studiuesve, më shumë se gjysma e njerëzve (53%) që jetonin me dikë që luftonte me Covid-19, u infektuan brenda një jave.

Rreth 75% e këtyre infeksioneve dytësore ndodhën brenda pesë ditëve nga simptomat e para në pacientin fillestar.

Më pak se gjysma e anëtarëve të familjes së infektuar kishin simptoma në kohën kur infektimi u zbulua për herë të parë.

Izoloni veten ose të dashurit tuaj!

Të qëndrosh i izoluar nga anëtarët e tjerë të shtëpisë është sfiduese, veçanërisht nëse je në një hapësirë të vogël ose ka fëmijë në shtëpi.

“Nëse keni dikë në shtëpi që është më i moshuar ose ka një problem shëndetësor, që rrjedhimisht e bën më pak imun ndaj sëmundjes, ju do duhet ta izoloni atë person në mënyrë që fëmijët dhe gjithë të tjerët të mos jenë rreth tyre rregullisht”, thotë pediatrja, Dr. Tanya Altmann.

“Nëse keni një fëmijë për të cilin duhet të kujdeseni, atëherë mund të duhet të merni vendimin për të izoluar një të rritur me fëmijën”, shtoi ajo. “Ai i rritur do të kujdesej për fëmijën dhe i rrituri tjetër do të ishte përgjegjës për pjesën tjetër të familjes.”

Sigurisht, situata vështirësohet kur kemi të bëjmë me një prind të vetëm, por dhe në këto raste, do jetë dikush, qoftë një përgjegjës i pallatit ku banoni, i cili do jetë i gatshëm t’ju ndihmojë me një pazar të vogël apo diçka tjetër që mund t’ju duhet.

“Fatkeqësisht ju duhet ta mbani të tërë shtëpinë nën izolim. Modelet e përhapjes së Covid-19 sugjerojnë që grupe njerëzish që jetojnë afër së bashku janë në rrezikun më të lartë për ta marrë atë nga njëri-tjetri. Nëse fëmijët janë pjesë e asaj shtëpie, ata mund të shfaqin simptoma minimale por përsëri të jenë ngjitës.”

Mjekja shton:

“Merrni parasysh që të gjithë që jetojnë në shtëpi të mbajnë një maskë brenda. Bërja e kësaj ishte 79% efektive në parandalimin e përhapjes së virusit, sipas një studimi të fundit, kur anëtarët e familjes filluan të mbanin maska përpara se simptomat të shfaqeshin tek personi i parë i infektuar.”

Nëse jetoni vetëm, sfida juaj është të monitoroni simptomat tuaja dhe të kujdeseni për veten kur nuk ndiheni mirë. Sigurohuni që të keni një plan të përgatitur për të marrë ushqim dhe ilaçe në shtëpinë tuaj dhe për të gjetur dikë që mund të jetë përgjegjës për kontroll të rregullt virtual.

Ruani ose kërkoni nga të afërmit tuaj që t’ju sigurojnë gjithë mjetet e mundshme të argëtimit: iPad, libra, madje dhe lojëra që mund të luani përmes FaceTime ose Skype.

Burimi: CNN, Anabel