Selimi: Finalizohet Projektligjit që i jep kompetenca AKK-së, në parandalim të korrupsionit

0
49

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi në kuadër të javës Kundër Korrupsion, në një konferencë për medie bashkë me Drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsion, Shaip Havolli, ka njoftuar opinionin publik se Ministria e Drejtësisë ka finalizuar Projektligjin për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

“Në shënim të Javës Kundër Korrupsionit, Ministria ka finalizuar punët rreth Projektligjit për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Grupi punues gjatë hartimit të draftit ka marrë parasysh komentet dhe rekomandimet nga mekanizma dhe raporte të ndryshme qofshin këto organizata vendore dhe ndërkombëtare, me theks të veçantë duke marrë për bazë edhe rekomandimet e dala nga procesi i Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit”, tha ministri Selimi.

Çështjet kryesore të trajtuara nga ky projektligj sipas ministrit Selimi, kanë konsistuar në nevojën dhe qëllimin e plotësimit dhe ndryshimit nga Ligji paraprak i cili është në fuqi.

“Në versionin aktual të projektligjit janë të trajtuara të gjitha çështjet që i referohen pengesave në zbatim nga ana e organit zbatues dhe atyre çështjeve që nuk kanë qenë të mbuluara me dispozita përkatëse ligjore e që i referohen Agjencisë”, deklaroi ministri Selimi.

Gjatë konferencës, ministri Selimi tregoi se përmes këtij projektligji, Agjencia merr kompetenca të qarta në funksion të parandalimit të korrupsionit duke përcaktuar përfundimisht një kornizë efektive anti-korrupsion, përcakton kompetencat ligjore të Agjencisë në fushën e parandalimit të korrupsionit, veçanërisht në fushën e hetimeve administrative në lidhje me parandalimin e konfliktit të interesit, procesit të deklarimit të pasurisë dhe dhuratave, dhe çështjet që ndërlidhen me sinjalizuesit.

“ Për më tepër, një ndër risitë më të veçanta të këtij projektligji është së Agjencia do të ketë kompetenca për të shqiptuar masa administrative dhe gjoba në rast të shkeljes së dispozitave ligjore, që e vendos Agjencinë në një stad shumë të avancuar në rolin e saj për parandalimin e korrupsionit”, u shpreh ministri Selimi.

Sipas tij, risi tjetër e këtij projektligji është se Agjencia do të monitorojë Strategjinë Anti-Korrupsion i cila do të jetë dokument udhërrëfyes për institucionet e Kosovës, i draftuar dhe miratuar nga qeveria si manifestim i vullnetit politikë.

“Për më tepër, Agjencia do të ketë kompetenca shtesë sa i përket: Vlerësim kundër- korrupsion të akteve ligjore, Vlerësim i rrezikut të korrupsionit, dhe Planeve te Integritetit. Ministria Drejtësisë, pas marrjes së deklaratave përkatëse projektligjin do ta procedoj pa vonesë për miratim në Qeveri”, tha ministri Selimi.

Drejtori Havolli, në fjalën e tij para medieve ka thënë se me këtë projektligj, Agjencisë i shtohen kompetencat dhe rritet efikasiteti i punës së AKK-së, në luftën kundër korrupsionit.