Kur mund të lejohen globalisht udhëtimet ndërkombëtare

0
164

Bota ka pritur me padurim një vaksinë për Covid, e shpallur që në fillim të pandemisë si shpresa jonë më e mirë për t’u kthyer në normalitet. Një pjesë e madhe e kësaj është rifillimi i udhëtimeve ndërkombëtare. Sigurisht, një vaksinë efektive ka ndikimin e saj në përfundimin e pandemisë, por duhet thënë se nuk mjafton. Ka disa gjëra që duhen marrë në konsideratë.

Udhëtimet ndërkombëtare në epokën e vaksinës

Zhvilluesit e vaksinës Pfizer/BioNTech, e cila u miratua së fundmi edhe në SHB A, kanë raportuar që efikasiteti i vaksinës së tyre mARN është 95% në parandalimin e Covidit simptomatik, pas provave të fazës së tretë. Vaksina duket të jetë e sigurt me vetëm efekte anësore të lehta në disa pjesëmarrës. Megjithatë, studimi nuk ka raportuar zyrtarisht efikasitetin e vaksinës kundër infektimit, në krahasim me shfaqjen e simptomave.

U?ur ?ahin, themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i BioNTech, beson se vaksina mund të zvogëlojë transmetimin me 50%. Në këtë fazë, ne gjithashtu nuk dimë sa do të zgjasë imuniteti për ata që vaksinohen me vaksinën Pfizer/BioNTech. Disa nga këto të dhëna do të bëhen publike vitin e ardhshëm.

Jo të gjithë do të vaksinohen menjëherë

Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) e vlerëson situatën e Covid në Europë si “të qëndrueshme”, “shqetësuese” ose “seriozisht shqetësuese”. Pra, është e qartë se zona dhe vende të ndryshme kanë rrezikshmëri të ndryshme, që do të thotë se izolimet do të vazhdojnë ende.

Testimi

Shumë vende kërkojnë një test negativ në mënyrë që të të lejojnë të hysh në shtetin e tyre. Për shembull, Spanja kërkon një test negativ PCR të kryer jo më shumë se 72 orë para udhëtimit. Në mënyrë të ngjashme, Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA), që përcakton standardet për linjat ajrore, ka bërë thirrje për kryerjen e testit për Covid para nisjes.

Edhe pas vaksinimit, testimi do të jetë ende i rëndësishëm, pasi vaksina nuk garanton që një udhëtar nuk është i infektuar, ose nuk ka potencial të transmetojë sëmundjen.

Certifikatat dhe pasaportat

Shtetet dhe linjat ajrore mund t’u kërkojnë vizitorëve të kenë një certifikatë vaksinimi. IATA po zhvillon një “shëndet dixhital” që do të ketë informacion për testimin dhe statusin e vaksinimit të individëve.

Në një konferencë virtuale në Copenhagen në fillim të dhjetorit, një ekspert mjekësor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) u shpreh se OBSH nuk po u rekomandon shteteve që të lëshojnë “pasaportat e imunitetit” për ata që janë shëruar nga Covid-19, por po shqyrton mundësinë e përdorimit të certifikatave elektronike të vaksinimit.

“Ne po shohim nga afër përdorimin e teknologjisë për përgjigjen ndaj Covid-19 dhe mund të punojmë me vendet anëtare drejt një certifikate elektronike të vaksinimit,” tha ai.

Në fillim të tetorit, OBSH njoftoi se në bashkëpunim me Estoninë, ka rënë dakord për të zhvilluar një certifikatë ndërkombëtare të vaksinimit, një kartë e verdhë elektronike, pjesë e programit COVAX, krijuar për të përshpejtuar dhe zhvilluar qasjen e barabartë ndaj vaksinave anti-Covid

Me gjasë, udhëtimet ndërkombëtare do të lejohen globalisht në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, pasi procesi i vaksinimit të jetë zhvilluar mjaftueshëm.

Burimet: CNN, Reuters