Në Bruksel vazhdon dialogu Kosovë-Serbi në nivel të ekspertëve

0
40

Në Bruksel do të mbahet raundi i ri i bisedimeve në nivel të ekspertëve mes Kosovës dhe Serbisë.

Bisedimet fillojnë në orën 10 të mëngjesit, me takime të ndara të delegacioneve me përfaqësuesin special të BE-së për dialog Mirosllav Lajçak, pasuar nga një takim trepalësh midis Prishtinës dhe Beogradit dhe ndërmjetësuesve të BE-së.

Gjatë ditës së djeshme drejtori i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, ka thënë se pala serbe do të insistojë në Asociacionin e Komunave Serbe, por edhe në sigurinë e familjeve të kthyera, njofton Klan Kosova.

Këtë për klankosova.tv e ka demantuar zëdhënësja e Qeverisë, Antigona Baxhaku.

“Nesër do të diskutohet vetëm për çështjen tashmë të konfirmuar dhe jo temë tjetër”, tha Baxhaku.

“Takimi i radhës në Bruksel(10.12.2020) do të zhvillohet në nivel të ekspertëve, ekipi do të udhëhiqet nga koordinatori shtetëror Skender Hyseni. Do të vazhdoj diskutimi nga takimi i fundit për zgjidhjen e pretendimeve financiare”, ka thënë Baxhaku.