Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) lanson punimin “Analizë mbi veprimtarinë e Kuvendit të Kosovës në periudhën 2019-2020”

0
45

nstituti Demokraci për Zhvillim me datë 10 dhjetor 2020, organizoi konferencën për lansimin e punimit “Analizë mbi veprimtarinë e Kuvendit të Kosovës në periudhën 2019-2020”. Pjesë e panelit në këtë konferencë ishin: Arbërie Nagavci, Nënkryetare, Kuvendi i Republikës së Kosovës; Shkëmb Manaj, Deputet, Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Blerta Deliu Kodra, Deputete, Kuvendi i Republikës së Kosovës ndërsa punimi u prezantua nga autori Albert Krasniqi.

Në këtë punim janë mbledhur dhe analizuar të dhëna për të paraqitur se si Kuvendi i Kosovës ka përmbushur rolin e tij në mbikëqyrjen parlamentare dhe shqyrtimin e legjislacionit. Në raport fokus janë periudha nga janari i vitit 2019 deri në gusht i vitit 2020, që përfshinë dy sesionet e punës së dy legjislaturave të ndryshme. Ndërmjet kësaj periudhe është bërë edhe ndryshimi i legjislaturës nga e gjashta në të shtatën, ku për mbi tre muaj Kuvendi ka pushuar aktivitetet për shkak të zgjedhjeve të parakohshme. Ky raport mund t’u shërbejë qytetarëve që të kuptojnë se si punon Kuvendi, deputetëve që të kenë një vlerësim objektiv të punës së tyre, në mënyrë që të ndërmarrin reformat e nevojshme për të rritur funksionalitetin e këtij institucioni.

Një nga gjetjet e punimit është se legjislatura e gjashtë e Kuvendit, përkundër mungesë së qartë të shumicës parlamentare, ka qenë më efikase në shqyrtimin e ligjeve, madje duke miratuar disa prej ligjeve që për kohë të gjatë kanë qëndruar në sirtarët e Qeverisë dhe që kanë kërkuar konsensus më të gjerë.

Gjatë kësaj konference nga panelistët u diskutua mbi çështje të cilat janë paraqitur edhe në raport siç janë mos-prezenca e deputetëve në seanca parlamentare, gjuha jo-parlamentare dhe të tjera duke u arsyetuar se mungon vullneti politik për të përkrahur çështje të caktuara. Ndërkaq për të adresuar të gjitha sfidat e identifikuara, shihet e nevojshme miratimi i rregullores së re.

Nga të pranishmit u potencua se Kuvendi ka ushtruar mandatin e tij në rrethana jo-normale për shkak të pandemisë Covid-19, andaj ka qenë e vështirë të nxjerren krahasime të punës së Kuvendit duke pasur parasysh këto rrethana. Ndër të tjera, u diskutua se nevojitet një koordinim më efikas mes Parlamentit dhe Qeverisë në mënyrë që deputetët të arrijnë të përmbushin obligimet e tyre. Sa i përket transparencës dhe llogaridhënies, nga panelistët u theksua se janë qytetarët ata të cilët duhet të vlerësojnë sa janë të përgjegjshëm deputetët duke votuar apo mosvotuar për ta në legjislacionin e ardhshëm.

Punimin e plotë mund ta gjeni në: https://d4d-ks.org/punimet/analize-mbi-veprimtarine-e-kuvendit-te-kosoves-ne-periudhen-2019-2020/